“Fetai nuk e zotëron mirë gjuhën maqedonase, pasi pothuajse tërë jetën e ka kaluar në Belgjikë”, tha Mickoski, ndërsa shtoi se edhe komunikimi i tij me Fetain zhvillohet në gjuhën angleze, mëgjithëse u shpreh se ia ka tërhequr vërejtjen që në raste të ardhshme të marrë përkthyes
Shkup, 11 tetor – Kryeministri Hristijan Mickoski arsyetoi faktin që zëvendëskryeministri Arben Fetai disa ditë më parë u përgjigj vetëm në gjuhën shqipe, duke theksuar se Fetai nuk e zotëron mirë gjuhën maqedonase pasi pothuajse tërë jetën e ka kaluar në Belgjikë. Mickoski tha se edhe komunikimi i tij me Fetain zhvillohet në gjuhën angleze.
“Unë kam komunikim cilësor me zëvendëskryeministrin në gjuhën angleze, sepse ai që prej se ka pasur gjashtë vite, ka migruar në Belgjikë dhe flet rrjedhshëm katër gjuhë. Komunikimi ynë është në gjuhën angleze. Ai ka biografi të shkëlqyer, pas vetes. E di që nuk e ka pasur një qëllim të tillë, siç e plasojnë disa qendra ta defokusojnë opinionin, për shkak se mundohet të mësojë gjuhën maqedonishten dhe unë e di se sa energji po harxhon për një gjë të tillë”, theksoi kryeministri Mickoski. Megjithatë kryeministri theksoi se ia ka tërhequr vërejtjen Fetait që në rastet tjera të merr me vete përkthyes në mënyrë që të mos hutohen dhe gjenden në pozitë të vështirë gazetarët.
“Gabimi i vetëm në atë rast është që nëse dikush vendos të flas në gjuhën shqipe të merr përkthyes me vete, unë në emër tim i kërkoj falje gazetarëve, unë veçmë kam folur me zv/kryeministrin se ai të njëjtën do ta bëjë dhe ai gabim nuk do të ndodh në të ardhmen”, theksoi Mickoski.
Përndryshe, para disa ditësh, Fetai u përgjigj vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa ky gjest i Fetait shkaktoi reagime të ndryshme në opinionin publik. LSDM kërkoi nga Mickoski të shkarkojë Fetain për shkak se nuk ka respektuar gjuhën maqedonase.
“Partnerët e koalicionit në Qeveri nuk e respektojnë as gjuhën maqedonase. Në një paraqitje zyrtare, zëvendëskryeministri Arben Fetai refuzoi të përgjigjet në gjuhën maqedonase. Me gjakftohtësi tha se ‘ende nuk është gati në maqedonisht’. Këtë e tha një njeri që mban funksion të lartë në qeverinë e Mickoskit. Nga VMRO-DPMNE dhe Mickoski – heshtje. Nuk ka reagim, nuk ka kërkim faljeje, nuk ka kërkesë për përgjegjësi. Pyetja është e thjeshtë: për këtë i duheshin Mickoskit 58 deputetë? Për mosrespektim edhe më të madh të gjuhës maqedonase dhe institucioneve?”, kanë theksuar nga LSDM,m nga ku shtojnë se ky nuk është rast i izoluar, pasi edhe funksionar të tjerë nga blloku shqiptarë në qeveri nuk flasin maqedonisht.
