Duke folur për refuzimin e pushtetit për takim liderësh ku do të flitej për zgjedhjet e parakohshme, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, u shpreh se nëse pushteti nuk pranon, afatet gjithsesi do të vijnë, dhe se Kushtetuta dhe ligjet janë të pamëshirshme, përcjell TV21. Më tej vazhdoi duke thënë se si opozitë kanë vlerësuar se është qasje shtetformuese që të ulen për të konfirmuar datat e zgjedhjeve që më pas të mos ketë në ndonjë krizë politike a kushtetuese.
“Nëse qeveria nuk vlerëson se duhet të ulet në tavolinë me partinë më të madhe opozitare, në rregull, edhe këtë e pranojmë, nuk ka asnjë problem, ja le të vendosin ata, ne do të dalim në zgjedhje dhe do t’i fitojmë por pas kësaj duhet të kuptojnë se do të jenë në opozitë dhe të gjitha këto precedentë që i bëjnë tani, ngadalë do të bëhen praktikë. Është e lehtë kur bën precedentë dhe kur kjo është në kurriz të dikujt tjetër, siç thonë pleqtë, njëqind shkopinj mbi kurrizin e tjetrit nuk dhembin, por pas kësaj punët do të ndryshojnë, e mos të ketë pastaj vajtime e qarje”, tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.
