Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka përsëritur qëndrimin e tij se do të refuzojë mbështetjen për ndryshimet kushtetuese e që kanë të bëjnë me përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë. Sipas tij VMRO-DPMNE nuk do të pranojë ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar dhe se kjo përbërje parlamentare nuk ka marrë mandat nga qytetarët për të zbatuar një proces të tillë teksa shtoi se presionet janë evidente.
“Ky parlament nuk ka mandat për të ndryshuar kushtetutën, ky parlament duhet të shpërbëhet sa më shpejt për të shkuar në zgjedhje parlamentare. Më pas çdo parti politike duhet të dalë me një plan dhe vizion të qartë për tejkalimin e problemit. Presionet do të vazhdojnë, presionet nuk do të ndalen, nuk do të ndalen sepse këta njerëz nga qeveria kërkojnë që të bëhen presione. Personalisht nuk do të lëviz asnjë milimetër dhe do t’i duroj të gjitha presionet ngado që të vijnë dhe më besoni nuk janë të këndshme.”, – deklaroi kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Por, nga LSDM kreun e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski e kanë cilësuar si një politikan klasik anti evropian, peng i Dimitar Apasiev dhe i së Majtës, me të cilin angazhohen në bllokada dhe ngecje të shtetit.
“VMRO-DPMNE deri më tani nuk ka mbështetur asnjë vendim për anëtarësimin e vendit në BE. Ata përhapin gënjeshtra se gjuha maqedonase do të jetë dialekt bullgar dhe nuk votuan për ratifikimin e marrëveshjes “FRONTEX”, si marrëveshje e parë në të cilën gjuha jonë qëndron së bashku me të 24 gjuhët e BE-së të nënshkruara nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe nga Maqedonia e Veriut. Koalicioni i VMRO-DPMNE-së dhe i së majtës është koalicion i kaosit dhe i kthimit mbrapa. Qëllimi i tyre i vetëm është të pengojnë rrugën evropiane të vendit.”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.