Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk është parë në publik që prej gati tre javësh, pak pasi deklaroi se zgjedhjet presidenciale të Rusisë “nuk ishin vërtet demokraci” dhe parashikoi një fitore 90 për qind për Vladimir Putin vitin e ardhshëm. “Zgjedhjet tona presidenciale nuk janë në të vërtetë një demokraci, janë një burokraci e shtrenjtë”, i tha Peskov “The New York Times” në një artikull të 6 gushtit. “Putin do të rizgjedhet vitin e ardhshëm me më shumë se 90 për qind të votave”, tha ai. Zgjedhjet presidenciale në Rusi në vitin 2024 duhet të mbahen më 17 mars. Putin pritet të shpallë së shpejti kandidaturën e tij për një mandat të gjashtë presidencial. Sipas ndryshimeve kushtetuese të bëra para luftës në Ukrainë, Putin mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.

Konferenca e tij e fundit ishte më 4 gusht, dy ditë përpara se komentet e tij të publikoheshin nga “NYT”. Në ditën e njoftimit, media shtetërore citoi Peskov të thoshte se deklaratat e tij ishin keqinterpretuar.

“Autori i artikullit i interpretoi fjalët e mia në një mënyrë absolutisht të gabuar”, tha Peskov për agjencinë shtetërore të lajmeve “Tass”. Peskov i tha gazetës me ndikim amerikan se “presidenti këmbënguli që zgjedhjet të organizohen pa gabime se kjo është ajo që kërkon demokracia”. Ai i tha gjithashtu faqes ruse të lajmeve RBC se “ndonëse zgjedhjet janë kusht i demokracisë dhe vetë Putini vendosi t’i mbajë ato, teorikisht është e mundur që të mos mbahen”. Ai këmbënguli se deklarata e tij ishte “opinion personal”. Ndërkohë, kanali Telegram në pronësi të prezantueses ruse të TV Ksenia Sobchak pretendon se Peskov aktualisht është me pushime.“Ai tha se do të kthehet pas 2 ditësh”, tha kanali./koha.mk