Mësimi i gjuhës shqipe në Gaillard të Francës nis të mërkurën, më 18 nëntor 2026, në orën 14:00. Lajmin e bëri të ditur në Facebook Tahir Shabani, president dhe themelues i Shkollës Shqipe dhe Ambasador i Paqes.

Orët do të mbahen çdo të mërkurë, nga ora 14:00 deri në 16:00, në Espace Louis Simon, 74240 Gaillard.

Në njoftimin e tij, Shabani u bëri thirrje prindërve shqiptarë në Gaillard dhe në zonat përreth t’i inkurajojnë fëmijët të ndjekin mësimin në gjuhën amtare. Ai theksoi se shkolla synon të ruajë dhe të promovojë gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar te brezat e rinj.

“Ruajtja e gjuhës shqipe është përgjegjësi e përbashkët dhe trashëgimi për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftimin ku përmendet edhe prof. Safete Ismajli.