Ndërkaq ankesat e udhëheqësve të bibliotekës nuk po merren parasysh nga institucionet kompetente të cilët po insistojnë që të dislokohet biblioteka. Sipas tyre, hapësirat e reja janë adekuate

Urim HASIPI

Tetovë, 13 gusht – Dislokimi i Bibliotekës së Tetovë nga hapësirat ku ndodhet aktualisht në hapësirat e Fakultetit të Artit Dramatik të Universitetit të Tetovës, ka ngjallur shumë reagime dhe shumë përplasje mes institucioneve. Përderisa drejtuesit e bibliotekës thonë se një dislokim i këtillë mund të dëmtojë librat dhe arkivin dhe se në hapësirat e reja nuk ka vend të mjaftueshëm, nga Ministria e Kulturës insistojnë se zhvendosja do të ndodhë duke mos u rrezikuar librat.

Ndërkohë, zyrat e bibliotekës do të shfrytëzohen nga Misioni i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut. Nga zyra e BE-së në Shkup, thonë se Delegacioni i BE-së po zgjeron rrjetin e tij të Shtëpive të Evropës në të gjithë vendin për të adresuar nevojat e të rinjve. “Shtëpia e Evropës është një hapësirë unike, e cila funksionon si një qendër që angazhon kryesisht, por jo ekskluzivisht, të rinjtë në lloje të ndryshme aktivitetesh që lidhen me arsimin, inovacionin, kulturën, rrjetëzimin, debatin, duke promovuar BE-në dhe vlerat dhe parimet e saj. Ai u ofron të rinjve mundësitë për të ardhur me idetë dhe iniciativat e tyre dhe për t’u përfshirë në mënyrë aktive në diskutimet për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane, duke formësuar agjendën, duke sjellë perspektivat e tyre për çështje me rëndësi për ta dhe për shumë të rinj evropianë”, thonë nga Delegacioni i BE-së në Shkup.

Pas hapjes së Shtëpive të Evropës në Manastir dhe Veles në fillim të këtij viti, tani jemi në proces të ndërtimit të Shtëpisë së Evropës në Strugë dhe shpresojmë që të mund të hapim një Shtëpi të Evropës në Tetovë, thonë më tutje nga Delegacioni i Bashkimit Evropian. “Vendi për ndërtimin eventual të Shtëpisë së Evropës në Tetovë, i identifikuar së bashku me autoritetet komunale dhe qendrore, është pronë e qeverisë. Në procesin e identifikimit të një lokacioni të përshtatshëm për Shtëpinë e Evropës, Delegacioni i BE-së ka insistuar në rëndësinë e zhvendosjes së bibliotekës në ambiente alternative që do të siguronin funksionimin e përmirësuar të bibliotekës, e cila jep një kontribut në jetën arsimore dhe kulturore të qytetit. Për këtë qëllim, Delegacioni i BE-së ka marrë përsipër të ndihmojë në zhvendosjen e bibliotekës në ambientet e duhura, në mënyrë që të sigurohet që dislokimi të jetë sa më i qetë dhe biblioteka të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve. Delegacioni i BE-së planifikon të investojë 290,892,07 euro për ndërtimin e një shtëpie moderne evropiane në të mirë të banorëve të Tetovës dhe të rinjve të komunave fqinje”, thonë nga Delegacioni i Bashkimit Evropian.

Nga Ministria e Kulturës thonë se dislokimi i bibliotekës do të bëhet duke i plotësuar kushtet adekuate për punë. “Edhe Qendra për Kulturë në Tetovë edhe Biblioteka në Tetovë janë nën juridiksionin tonë. Në bashkëpunim me ta, Ministria synon zgjidhjen adekuate të çështjes hapësinore të Bibliotekës. Dislokimi i mundshëm i Bibliotekës do të bëhet duke plotësuar kushtet e duhura për funksionimin e saj”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Ndërkaq, ankesat e udhëheqësve të bibliotekës nuk po merren parasysh nga Institucionet kompetente të cilët po insistojnë që të dislokohet biblioteka. Sipas tyre, hapësirat e reja janë adekuate. (koha.mk)