Me qëllim për të identifikuar ndotësit në qytet, Komuna e Tetovës ka instaluar kamera në pesë pika në qytet. Ky veprim sipas këshilltarëve komunal të BDI-së është i paligjshëm dhe cenon privatësinë e qytetarëve. Por nga Komuna thonë se vendosja është bërë në përputhje me dispozitat ligjore, shkruan Portalb.mk. Kamerat janë instaluar në pesë pika në Tetovë, të cilat sipas komunës janë kyçe, edhe atë: te Teleferiku, në rrugën K.R. Drnc, në rrugën Strasho Pinxhur, në bulevardin “Bllagoja Toska” dhe në rrugën 29 Nëntori, nëpërmjet të cilave do të vëzhgohet dhe do të monitorohet vazhdimisht veprimtaria e individëve që shfrytëzojnë hapësirat publike për hedhjen e mbeturinave të ndryshme.