Kryetari i Kërçovës, njëherit edhe anëtar i kryesisë së lartë të BDI-së, Fatmir Dehari, duke folur për zgjedhjet nëpër Këshillat e BDI-së dhe kryetarët e degëve, ishte kritik për demokracinë e brendshme partiake, duke thënë se nuk i duket e udhës që të rinjtë të vrapojnë pas anëtarësimeve, madje edhe të pleqve, vetëm për të siguruar vota.

https://youtube.com/watch?v=KIWNRQgvmMQ%3Ffeature%3Doembed

“Në këtë proces do të dëshiroja mbi të gjitha të sundojë dhe dominojë njerzillëku, respekti i ndërsjellë të bëhet një zgjedhje në fund të fundit e qetë, le ta quajmë demokraci, mundet për Artanin të jetë demokraci shumë e madhe por unë thash qasjen time kam të drejtë të jap dilemat e mija, ky le të jetë një mesazh reflektimi për të gjithë”.

Duke folur për zënkat brenda BDI-së, e sidomos ato që çuan deri në fraksionizmin e partisë në të ashtuquajturin “grupi i zjarrit”, Dehari tha se nuk mendon se ato janë vetëpërjasjtuar, sepse sipas tij, lëshimi i një mbledhjeje të partisë nuk nënkupton vetëpërjashtim. Gjatë gjithë kohës bëri thirrje për pajtim e reflektim, ndërsa u shpreh se rikthimi i grupit të zjarrit do të ishte në të mirë të të gjithëve.

“-Po më thoni që kthehet grupi i zjarrit në BDI?
-Pse të mos kthehen, unë gjithë kohës them që të kthehen, unë e thash dhe e them që të kthehet, sigurisht të kthehet. A do të kthehet është diçka tjetër por për të mirën tonë të përbashkët dhe për të mirën e qytetarëve unë them që të kthehet”.

Sa i takon bashkë partiakut të tij Ramiz Merko, i cili u shpall persona non grata nga SHBA-të por që ende vazhdon të mbajë funksionin si Kryetar i Strugës, Dehari tha se për arsye morale Merko do të duhej të jepte dorëheqje./tv21