Adis Ismaili është emëruar Kryetar i Nëndegës Beliçica në Gostivar, me mbështetje të plotë nga banorët e lagjes dhe nga Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në këtë qytet.

Ismaili, kompozitor i diplomuar në Universitetin e Tetovës, njihet për angazhimin e tij në fushën e muzikës dhe artit kulturor. Aktualisht ai është i punësuar në Qendrën për Kulturë në Gostivar, ku ushtron detyrën e udhëheqësit të sektorit të muzikës. Gjatë karrierës së tij profesionale është dalluar për kreativitetin, organizimin e aktiviteteve artistike dhe kontributin në zhvillimin e jetës kulturore në qytet.

Nga BDI në Gostivar vlerësojnë se emërimi i tij nuk është rastësor.

“Adis Ismaili përfaqëson një profil të ri, energjik dhe të dëshmuar në punë konkrete me komunitetin dhe kulturën. Ai gëzon besimin e plotë të strukturave tona dhe të qytetarëve të Beliçicës”, thuhet në reagimin e Degës së BDI-së në Gostivar.

Edhe vetë Ismaili ka falënderuar për besimin e dhënë, duke theksuar se do të angazhohet maksimalisht në funksion të qytetarëve.

“Ky është një obligim dhe përgjegjësi për mua. Do të punoj me përkushtim për të forcuar lidhjen me qytetarët dhe për të çuar përpara iniciativat që i shërbejnë komunitetit”, ka deklaruar ai.

Emërimi i tij shihet si një vlerësim për kontributin e tij shumëvjeçar brenda Bashkimit Demokratik për Integrim dhe një përpjekje për të sjellë energji të re në strukturat lokale të partisë. Gazeta Flaka