Sot nuk po flasim më për një vonesë teknike. Sot po flasim për një rrëshqitje të rrezikshme historike – nga rruga drejt Evropës, në një rrugë drejt izolimit. Maqedonia e Veriut ka qenë dikur simbol i shpresës evropiane në Ballkan. Sot, është bërë simbol i stagnimit. Kështu ka thënë sot deputeti i Frontit Evropian, Salih Murat, ndërsa ka komentuar bllokimin e rrugës së integrimit drejt BE-së. “Negociatat me BE-në janë bllokuar. Ndryshimet kushtetuese kanë dështuar. Institucionet heshtin.

Qytetarët paguajnë çmimin. Ndërkohë, fqinjët tanë ecin para: Shqipëria – me kapituj të hapur, drejt anëtarësimit deri në vitin 2030. Mali i Zi, në të njëjtën rrugë. Madje, edhe Moldavia, dikur shumë mbrapa, sot pritet të na tejkalojë. Po Maqedonia e Veriut? E vendosur në fund të listës, përkrah Bosnjës dhe Kosovës. Jo sepse nuk ka kapacitete, por sepse nuk ka vullnet politik”, ka thënë deputeti Murati. Nga Brukseli, jemi zhvendosur në Beograd e Banja Llukë, ka vijuar ai. “Në vend të partnerëve evropianë, sot takojmë figura që përkujtojnë ‘agresionin e NATO-s’.

Nga diplomacia evropiane, kemi kaluar në nostalgji politike. Evropa nuk është më prioritet i kësaj qeverie. Në vend të reformave, kemi spektakël. Në vend të meritës, kemi revansh. Në vend të integrimit, kemi improvizim”, ka akuzuar deputeti Murat. E ardhmja evropiane, sipas tij, nuk mund të ndërtohet me fjalime në Facebook. “As me zgjedhje të drejtorëve që fyejnë qytetarët. As me sfida boshe ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Qytetarët e këtij vendi meritojnë më shumë. Meritojnë një shtet funksional. Meritojnë një qeveri që nuk i përdor proceset evropiane për kalkulime të brendshme, por që i përmbush ato me seriozitet e dinjitet”. Kush punon kundër Evropës, ka thënë ai, punon kundër qytetarëve të këtij vendi. “Kush i bllokon ndryshimet, bllokon të ardhmen. Kush rrotullohet në vend, humb trenin e historisë. Sot është koha për zgjedhje. Evropa ose izolimi. Liria ose stanjacioni. E ardhmja ose e kaluara. Dhe ne, bashkë me qytetarët, e kemi bërë zgjedhjen tonë: Jo Rusisë, Po Evropsë!”, ka përfunduar deputeti Murat.