Mjaft më me manipulime e vërteta duhet të thuhet!
Deklaratat për “zvogëlimin” e numrit të kontejnerëve në Komunën e Çairit nga ana e kryetarit Ganiu janë manipulim i qëllimshëm me opinionin publik.
Numri i kontejnerëve nuk është zvogëluar enët e vjetra dhe të vogla janë zëvendësuar me të reja, më të mëdha dhe me kapacitet dukshëm më të madh.
Pra, po flasim për rritje të kapacitetit, e jo për zvogëlim.
Ky është edhe një përpjekje tjetër për të zhvendosur problemet e natyrës tjetër mbi shpinën e Ndërmarrjes Publike, e cila punon sipas një plani operacional të përcaktuar qartë, të miratuar nga Këshilli i Qytetit të Shkupit, nën kontroll të plotë të VMRO-DPMNE dhe VLEN.
Dinamika e realizimit është e përcaktuar paraprakisht dhe ndiqet sipas procedurave institucionale nga ana e bordit drejtues.
Gjithashtu, e kujtojmë Komunën e Çairit se ka një detyrim që ende nuk e ka përmbushur të shlyejë borxhin ndaj NP “Higjiena Komunale” – Shkup.
