Numri i viktimave nga zjarret në ishullin Maui të Havait është rritur në 106, duke e bërë si rastin më vdekjeprurës në Amerikë në 100 vitet e fundit, thanë autoritetet e atjeshme. Zyrtarët druajnë se numri i viktimave mund të jetë dy herë më i lartë, pasi nuk dihet fati i qindra personave të zhdukur.
Identifikimi i viktimave do të jetë i vështirë për shkak se zjarri ka qenë aq intensiv sa që konstruktet metalike janë shkrirë, thanë zyrtarët. Së shpejti pritet të dihen emrat e viktimave dhe deri tani janë identifikuar tre trupat e parë, thonë zyrtarët të cilët edhe një herë kërkuan nga familjarët e të zhdukurve të japin mostrat e ADN-së.
Guvernatori Xhosh Gren i tha Si-Bi-Es njuz se mund të duhen edhe dhjetë ditë për të ditur bilancin e plotë të viktimave. Pothuajse i gjithë qyteti Lahaina është shkatërruar nga zjarri.
Zyrtarët në Lahaina thanë se nga e shtuna deri tani janë kërkuar vetëm tre përqind e qytetit. Ata përdorin ndihmën e qenve për të gjetur viktimat, raporton Bi-Bi-Si.
“Kemi sipërfaqe prej të paktën tetë kilometra katrorë të mbushur me të dashurit tanë”, tha më parë shefi i policisë në Maui, Xhef Peletier.
Zjarri vdekjeprurës në Lahaina është ende aktiv dhe është lokalizuar rreth 85 për qind, sipas zyrtarëve të qarkut Maui. Si është shkaktuar zjarri ende nuk dihet, megjithëse u përhap nga erërat dhe thatësira e uraganit Dora.
Të shtunën është ngritur padi kolektive kundër furnizuesit më të madh të energjisë elektrike në Havai, Havai Elektrik duke pretenduar se largpërçuesit e shkatërruar të kompanisë kanë kontribuar në zjarret.
Në padinë akuzohet kompania se nuk ka mbyllur linjat e shkatërruara edhe krahas paralajmërimit të Shërbimit meteorologjik kombëtar se Havai është në gatishmëri për shkak të zjarreve pyjore.
