Është e rëndësishme që Maqedonia të ecë përpara, keni ofertë në tryezë dhe duhet ta merrni, nëse nuk e bëni këtë ia ktheni shpinën historisë, theksoi ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-ve për Europë, Xhejms O’Brajan në intervistën e djeshme për 360 gradë, duke folur për procesin eurointegrativ të vendit. Ai në mënyrë të ashpër i akuzoi qëndrimet e opozitares VMRO-DPMNE në lidhje me mospranimin e ndryshimeve kushtetuese dhe paralajmërimet se pas ardhjes në pushtet, do të kenë propozim më të mirë.

“Ka ofertë në tryezë. Nëse doni që të dini për dikë se si është ai dhe se si do të veprojë kur do të vijë në pushtet, shihni reagimin e tij për këtë ofertë. Nëse thonë në mënyrë të qartë, ja kjo është alternativa dhe besoj se e njëjta është e pranueshme për të tjerët, atëherë mund të vlerësoni nëse kanë të drejtë apo jo. Nëse thonë se kemi ofertë më të mirë por tani nuk do të tregojmë se cila është oferta jonë, ky është person prej të cilit nuk duhet blerë as automjet. Pra, mendoj se as nuk duhet të votoni për ta”- deklaroi Xhejms O’Brajan, Ndihmës Sekretar Shtetëror i SHBA-ve për Europë.
Për fjalët e O’Brajanit, në seancën e sotme për pyetjet e deputetëve, foli edhe kryeministri Kovaçevski.
“Kush gënjen dhe kujt nuk mund t’i besoni, dëgjuam dje nga ndihmës sekretari shtetëror i Amerikës i cili tha se prej kujt nuk duhet të blini as veturë dhe për kë nuk duhet as të votohet”- Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Dje, kur ishte intervista e O’Brajanit, ndihmës sekretari shtetëror zhvilloi takim edhe me kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Nëse ia ka thënë këtë edhe personalisht, nuk dihet, ndërsa në kumtesën e partisë thuhet se bashkëbiseduesit kanë folur për disa çështje me rëndësi thelbësore.
“Mickoski theksoi se interesi strategjik i Maqedonisë, përveç anëtarësimit në BE, është edhe mbrojtja e shenjave nacionale dhe të identitetit të popullit maqedonas dhe Maqedonisë. Mickoski e theksoi nevojën për luftë serioze kundër korrupsionit dhe krimit që është problem i madh për qytetarët”- thanë VMRO-DPMNE.
Ndryshe, tema e ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimi i rrugës europiane do të jetë një nga temat e takimit të liderëve që do të mbahet të hënën ku do të caktohet edhe data e zgjedhjeve.
