Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë vazhduar kritikat ndaj qeverisë për rrezikim të aleancave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Sipas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ekzekutivi ka dështuar në menaxhimin e duhur të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se vendimi për ndalimin e dinarit serb është kushtetues, por duhet të ketë koordinim me aleatët ndërkombëtarë për zbatimin e tij.

“Kemi kërkuar që për procese të cilat janë të rëndësishme edhe për çështjen e dinarit, natyrisht që është një vendim kushtetues, këtë e kemi thënë disa herë. Por të ketë koordinim me partnerët tanë, mos të ketë tensione dhe të ketë një bashkërendim të agjendës sonë. Ne kemi shënuar ditë më parë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, s’ka pasur asnjëherë përvjetor më të zbehtë”.
“Kosova ka shënuar këtë përvjetor të pavarësisë pa miqtë të rëndësishëm, pa aleatë dhe ata që e kanë ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj që nga bërja shtet dhe konsolidim. Kemi kërkuar tash e sa kohë, në kohën kur Kosova është nën sanksione dhe kur Kosova çdo ditë e më shumë po i cenon aleancat me partnerët, vetëm të ketë koordinim dhe qartësi në rrugëtimin tonë euro-atlantik”, tha ajo.
Më kritik u shfaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se marrëdhëniet e Kosovës me Unionin Evropian dhe ShBA-në kurrë s’kanë qenë më keq.

“Nuk është problemi që janë rreziku. Problemi është që marrëdhëniet e Kosovës me unionin evropian dhe ShBA-në kurrë s’kanë qenë më keq. Kjo është një temë që dihet botërisht. Kosova është nën sanksione, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e trajtojnë Kosovën jo si partnere si përpara, por si palë e diskutimit”, shtoi ai.
