Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, duke akuzuar koalicionin VLEN për krijim të qëllimshëm të konfuzionit.

Në reagimin e tij, Osmani thekson se gjuha shqipe po trajtohet si “jozyrtare” në vulat e institucioneve kryesore të shtetit, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të papranueshëm.

Sipas tij, veprimet e VLEN-it nuk janë të rastësishme, por pjesë e një strategjie për të hapur rrugë drejt, siç e quan ai, “anulimit të gjuhës”. Ai shton se krijimi i paqartësive rreth statusit të gjuhës synon të relativizojë të drejtat e garantuara me ligj.

Osmani e mbyll reagimin me mesazhin se një qasje e tillë nuk do të kalojë, duke lënë të kuptohet për kundërshtim politik ndaj çdo tentative për cenimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në vend.