Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me zhvillimet rreth përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e shtetit, duke akuzuar për një strategji të qëllimshme për dobësimin e saj.

Në reagimin e tij, Osmani rikujton periudhën kur ligji për gjuhën u miratua mes tensioneve politike, duke përmendur se deputetët e VMRO-DPMNE kishin tentuar ta pengonin fizikisht procesin në Parlament. Ai gjithashtu thekson se ish-presidenti Gjorge Ivanov kishte refuzuar ta nënshkruajë ligjin, duke e kthyer atë për rishqyrtim.

Sipas Osmanit, e njëjta parti që dikur e kontestoi ligjin në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, tashmë, pasi ka ardhur në pushtet, po e përdor këtë institucion për ta mbyllur çështjen në favor të saj.

Ai pretendon se janë ndërmarrë një sërë hapash institucionalë që synojnë dobësimin e përdorimit të gjuhës shqipe, përfshirë heqjen e pavarësisë së Inspektoratit për zbatimin e gjuhës, degradimin e rolit të Agjencisë për gjuhën, si dhe ndryshimin e logove institucionale duke eliminuar shqipen. Sipas tij, gjithashtu është vërejtur largimi gradual i gjuhës shqipe nga dokumentet zyrtare, tabelat dhe përdorimi institucional.

Osmani paralajmëron se po përgatitet një narrativë për ndryshimin e neneve kyçe të ligjit, duke e cilësuar këtë si vazhdimësi të një politike të planifikuar.

Në të njëjtin reagim, ai shpreh keqardhje që, sipas tij, në këtë proces janë përfshirë edhe disa përfaqësues politikë shqiptarë.

Duke e cilësuar çështjen e gjuhës si mbi-partiake dhe me rëndësi kombëtare, Osmani vlerëson rolin e studentëve në ngritjen e zërit kundër këtyre zhvillimeve.

Në fund, ai u bën thirrje qytetarëve, pa dallim etnie apo përkatësie politike, që të mobilizohen dhe të mbështesin studentët, duke theksuar se, sipas tij, “beteja për gjuhën është betejë për të gjithë”.