Shkencëtarët kanë krijuar embrionë artificialë njerëzorë duke përdorur qeliza staminale dhe anashkaluar nevojën e vezëve apo spermës.
Ata shprehen se këto modele embrionësh ngjasojnë me fazat e hershme të zhvillimit në trupin njerëzor dhe mund të jenë një dritare për çrregullimet gjenetike dhe shkaqet biologjike të aborteve.
Por ky zhvillim i ri shkencor ka hapur diskutime etike dhe ligjore pasi është jashtë kornizave legjislative të Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera, raporton “The Guardian”.
Strukturat s’kanë zemër apo tru, por qeliza që formojnë placentën, vezikulën ushqyese apo vetë embrionin.
“Ne mund të krijojmë modele embrionesh njerëzorë duke riprogramuar qelizat staminale”, shpjegoi një profesoreshë e universitetit të Kembrixhit.
Nuk ka asnjë perspektivë të afërt për përdorimin klinik të embrionëve artificialë. Vendosja e tyre në mitrën e një pacienti do të ishte e paligjshme dhe nuk dihet nëse kanë aftësi të zhvillohen përtej fazave të para.
“Ideja është që nëse modelohet zhvillimi i hershëm njerëzor duke përdorur qeliza staminale, mund të përftohet shumë informacion se si ne nisim të formohemi, çfarë mund të shkojë keq dhe nuk do na duhet të përdorim embrionë të hershëm për kërkime”, shprehet kreu i biologjisë qelizore staminale në institutin Francis Crick në Londër.
Shkencëtarët duhet të kuptojnë fazën e zhvillimit të quajtur “kutia e zezë” pasi iu lejohet që kultivimi i embrionëve në laborator të kryhet deri në 14 ditë. Më pas ata e çojnë më tej studimin duke parë skanerë shtatzënish dhe modele embrionesh të dhuruar për qëllime kërkimore./tvklan.al
