Arsyet kryesore të aksidenteve në të cilat ka persona të vdekur dhe të lënduar, si dhe dëme materiale, sipas institucioneve kompetente dhe atyre të përfshira drejtpërdrejt në procesin e punës, janë mospërfillja e sinjalistikës në vendkalimet rrugore në hekurudha nga pjesëmarrësit në trafikun rrugor, lëvizja në hekurudhë dhe hipja në vagona nga palët e treta (migrantë dhe persona të tjerë), si dhe sinjalistika me defekt
Llausha ZENUNI
Shkup, 24 korrik – Në hekurudhat e Maqedonisë që nga fillimi i vitit janë regjistruar gjithsej 25 fatkeqësi, gjatë të cilave pesë raste kanë përfunduar më fatalitet dhe 20 persona të tjerë janë lënduar. E fundit ka ndodhur para disa ditësh kur në vendkalimin hekurudhor në afërsi të fshatit Rramanli të Kumanovës janë përplasur një tren dhe një veturë, ku një person ka mbetur i lënduar. Arsyet kryesore të aksidenteve në të cilat ka persona të vdekur dhe të lënduar, si dhe dëme materiale, sipas institucioneve kompetente dhe atyre të përfshira drejtpërdrejt në procesin e punës, janë mospërfillja e sinjalistikës në vendkalimet rrugore në hekurudha nga pjesëmarrësit në trafikun rrugor, lëvizja në hekurudhë dhe hipja në vagona nga palët e treta (migrantë dhe persona të tjerë), si dhe sinjalistika me defekt.
Përmirësimi i gjendjes së hekurudhave, krahas sigurisë gjatë transportit të udhëtarëve dhe mallrave, është theksuar si veçanërisht i rëndësishëm në kuadrin e njoftimeve për liberalizimin e transportit në hekurudha, për të cilat ndryshimet ligjore tashmë janë në procedurë parlamentare.
Nga shqyrtimi i detajuar i raporteve të NP HRMV Infrastruktura rezulton se vitin e kaluar në hekurudhë janë regjistruar 39 fatkeqësi me nëntë të vrarë dhe tetë të plagosur. Katër vetura të NP HRMV Infrastruktura janë dëmtuar dhe komunikacioni është ndërprerë për gjithsej 374 orë. Në ngjarjet e jashtëzakonshme të vitit të kaluar, të cilësuara si aksidente të rënda, nëntë persona kanë humbur jetën dhe një veturë është dëmtuar dhe kanë qenë shkak për ndërprerjen e komunikacionit për 27 orë. Dy nga aksidentet e rënda kanë ndodhur në një vendkalim rrugor dhe shtatë në trena në lëvizje. Në evidencat e ndërmarrjes publike janë edhe 18 aksidente, në të cilat kanë mbetur të lënduar shtatë persona, janë dëmtuar dy vetura, si dhe kanë shkaktuar 280 orë ndërprerje të komunikacionit. 11 prej aksidenteve janë për shkak të daljes së trenit nga shinat, 3 janë në vendkalim rrugor dhe 4 gjatë lëvizjes së mjeteve hekurudhore. 12 ngjarje të jashtëzakonshme janë cilësuar si incidente, me një të lënduar dhe trafiku është ndërprerë për 66 orë me 5 persona të vdekur, 14 të plagosur dhe 6 automjete të dëmtuara. Nga 45 ngjarje të jashtëzakonshme në vitin e kaluar, 15 kanë ndodhur dalje nga shinat, 14 gjatë lëvizjes së trenave dhe gjashtë në vendkalime rrugore.
Nga NP HRMV thonë se në asnjë prej rasteve të jashtëzakonshme të listuara nuk ka përgjegjësi kompania. “Hekurudhat mirëmbahen rregullisht nga stafi ynë profesional. Më 15 korrik të këtij viti, kontraktori STRABAG përfundoi remontin e hekurudhës nga Nogaevci në Negotinë, i cili kishte filluar shtatë vjet më parë, në mënyrë që pas përfundimit të disa punëve shtesë nga ana jonë, trenat në këtë pjesë të hekurudhës më së voni për një muaj të lëvizin me shpejtësi të rregullt. Në pjesën e hekurudhës Tabanoc -Kumanovë, seksionet ekzistuese të izoluara janë zëvendësuar me sportele në akset e trenave, që paraqet nivelin më të lartë të kontrollit të lëvizjes së trenave. Në stacionin Trubarevo është bërë përmirësimi i softuerit për telekomandë që shërben për menaxhimin e komunikacionit në distancë në hekurudhën Tabanoc – Gevgjeli”.
Sipas Toni Dimovskit, kryetar i Sindikatës së Pavarur në HM Transport dhe përfaqësues i stafit mekanik në këtë kompani, përveç arsyeve të kompanisë për ngjarjet e jashtëzakonshme në hekurudha, problem është edhe sinjalizimi i gabuar. “Pothuajse 80 për qind e sinjalizimit nga Tabanoci në Gjevgjeli është i gabuar. Ne punojmë gjatë gjithë kohës duke telefonuar në telekomandë, na drejtojnë me telefon, kalojmë gjithë kohën në sinjale të kuqe në marrëveshje me kolegët që na ndjekin nga telekomanda. Gjithashtu, kalimet e tyre rrugore nuk janë të sakta dhe duhet të bëhen, dhe hekurudha ka trena të ngadaltë. Nëse më herët shpejtësia mesatare nga Tabanoci në Gjevgjeli ishte 100 kilometra në orë, tani është maksimumi 35 deri në 40, e diku kemi vozitje të ngadalta prej 20 kilometrash e 30 kilometra. Ata duhet të bëjnë sinjalet e tyre dhe t’i fshijnë, sepse nuk shihen, janë të mbuluara me pluhur, nuk janë fshirë prej shumë vitesh, ndizen, por nga larg nuk mund të dallosh nëse është sinjal jeshil, i kuq apo i verdhë dhe ne punojmë sipas tyre”, tha Dimovski.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes për themelimin e komunitetit të transportit, legjislacioni kombëtar duhet të harmonizohet me legjislacionin evropian në fushën e transportit hekurudhor. Me këtë marrëveshje, legjislacioni kombëtar është dashur të harmonizohet me acquis të BE-së në fushën e transportit hekurudhor. Marrëveshja duhet të kontribuojë në efikasitet më të mirë, kosto më të ulëta dhe cilësi më të mirë të shërbimeve për përdoruesit e transportit hekurudhor, duke hapur tregun dhe duke forcuar konkurrencën. Kjo është një nga kërkesat për anëtarësim në Union në mbledhjen e Nënkomitetit për Transport, Mjedis, Energji dhe Zhvillim Rajonal të mbajtur më 17 mars 2022. (koha.mk)