Sipas informacioneve gjendja më kritike është regjistruar në fshatin Forinë, i cili është më i prekuri nga përmbytjet. Janë përmbytur edhe sipërfaqe bujqësore në fshatrat Çajlë, Turçan, Vrapçisht dhe Bellovisht
Urim HASIPI
Tetovë, 16 shkurt – Pothuajse të gjitha komunat në rajonin e Pollogut janë përfshirë nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shiut, çka solli edhe deri tek rritja e nivelit të lumenjve. Gjendja më kritike paraqitet në rajonin e Komunës së Tetovës dhe Zhelinës. Deri tek kjo situatë erdhi si pasojë e rritjes së nivelit të Lumit të fshatit Poroj, i cili vërshoi pronat bujqësore të bujqve të fshatit Xhepçisht, dëmtoi qarkoren e Tetovës dhe uji më pas vërshoi edhe në shtëpitë e banorëve të fshatit Trebosh të Komunës së Zhelinës.
Me këtë rast, ekipet e angazhuara nga dy komunat dolën në terren për të ndaluar përmbytje më të mëdha në fshatin Trebosh, edhe pse veç më në disa shtëpi uji kishte depërtuar edhe nëpër bodrume.
“Si pasojë e të reshurave të shiut, shumë lumenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke shkaktuar dëmtime në prona, por jo vetëm, sepse janë evidentuar edhe disa erozione të tokës, duke shkaktuar dëmtime në infrastrukturën rrugore. Ekipet tona nga mëngjesi janë në teren duke intervenuar dhe ndihmuar qytetarët tanë. Njoftojmë se situatën jemi duke e përcjellë nga afër dhe se gjendja në përgjithësi është stabile në këto moment”, njoftuan nga Komuna e Zhelinës.
Si çdo herë, kur ka reshje të shiut, probleme janë hasur edhe në rrugën e Banjës në Tetovës. “Njoftojmë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar sepse si pasojë e reshjeve ka pasur rrëshqitje dheu në rrugën e Banjës. Ekipet janë në terren dhe po punojnë për pastrimin e rrugës”, njoftuan nga Komuna e Tetovës.
Probleme u shfaqën edhe në Komunën e Tearcës. Krahas rrëshqitjes së dheut në pjesën malore të fshatit Përshefcë, të shtunën mbrëma probleme u shfaqen edhe në rrugën malore për në vikend shtëpizat mbi fshatin Sllatinë. “Pas shumë orësh punë intensive, deri në orën 3 të mëngjesit dhe në kushte të rënda atmosferike, së bashku me ekipin arritëm të mundësojmë hapjen dhe qarkullimin e rrugës tek vikend shtëpizat e Sllatinës. Rruga kishte qenë e bllokuar për disa orë si pasojë e rrëshqitjes së dheut, por tani është plotësisht e lirë për qarkullim”, njoftoi kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi.
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në disa vendbanime të Komunës së Bogovinës janë paraqitur probleme serioze si vërshime dhe rrëshqitje të dheut. “Në fshatin Pirok, uji ka dalë nga kanali për shkak të dimensionimit të papërshtatshëm dhe bllokimit të gypave nga prurjet e mëdha të ujit. Për zgjidhje afatgjate, duhet të realizohet rikonstruktimi i një kanali të ri me kapacitet më të madh për të përballuar reshjet intensive. Në Novo Sellë, reshjet kanë shkaktuar shembjen e një pjese të rrugës brenda fshatit, duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve. Komuna do të ndërtojë mur mbajtës të ri për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. Në Kallnik, uji ka dalë nga kanali dhe ka shkaktuar dëme në disa shtëpi, ndërsa në fshatin Çiflik ka pasur rrëshqitje të dheut që ka bllokuar një pjesë të rrugës”, ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi.
Në territorin e Komunës së Gostivarit, sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar gjatë gjithë kohës për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve. Sipas informacioneve gjendja më kritike është regjistruar në fshatin Forinë, i cili është më i prekuri nga përmbytjet. Janë përmbytur edhe sipërfaqe bujqësore në fshatrat Çajlë, Turçan, Vrapçisht dhe Bellovisht. (koha.mk)
