Polonia po vazhdon të dërgojë mijëra trupa në kufirin e saj me Bjellorusinë, në atë që e ka quajtur si një veprim parandalues në kohën kur tensionet mes dy fqinjëve po rriten. Këto tensione midis Polonisë – një vend i NATO-s dhe Bashkimit Evropian – dhe Bjellorusisë, e cila është aleati i Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, janë rritur muajt e fundit në kufi

Polonia është duke vendosur me mijëra trupa të saj në kufi me Bjellorusinë, duke e kualifikuar veprimin si një lëvizje parandaluese në kohën e ashpërsimit të tensioneve midis dy fqinjëve.

Tensionet në mes të Polonisë, vend anëtar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, dhe Bjellorusisë, e cila është aleate e Rusisë në luftën e saj në Ukrainë, janë rritur gjatë muajve të fundit përgjatë vijës kufitare. Ja përse:

Polonia po i jepte mbështetje opozitës bjelloruse që nga zgjedhjet presidenciale të 2020-s, në të cilat lideri pro-rus, Aleksandar Lukashenko, e fitoi mandatin e gjashtë në një proces elektoral që nga Polonia dhe nga komuniteti më i gjerë perëndimor u pa si i manipuluar.

Më 2021, Bjellorusia filloi të organizojë dhe të shtyjë mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika përtej kufirit, në Poloni. Ky veprim, nga Polonia dhe nga BE-ja, u cilësua si planifikim në bashkëpunim me Kremlinin, me synim që të shkaktojë destabilitet në Evropë. Qeveria e krahut të djathtë e Polonisë, armiqësore ndaj idesë së pranimit të emigrantëve, ndërtoi një mur prej 400 mijë dollarësh që e reduktoi ndjeshëm hyrjen.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022, Polonia e dënoi sulmin dhe e ka mbështetur Kievin me pajisje ushtarake, mbështetje politike dhe ndihmë humanitare, duke përfshirë pritjen e më shumë se 1.2 milionë refugjatëve. Bjellorusia është në anën e Rusisë në këtë konflikt dhe Polonia po merr pjesë në sanksionet ekonomike ndërkombëtare ndaj të dyja vendeve.

Zyrtarët shtetërorë të Bjellorusisë dhe aktivistët proqeveritar kanë formuar një grup të quajtur Komanda e Forcave Patriotike, të cilën Minsku po e përdor si një mjet politik. Në një fjalim të fundit drejtuar kombit polak, grupi ka pretenduar se politikanët polakë “po ndezin zjarrin e luftës me veprimet dhe retorikën e tyre” dhe po “nxiten nga furia e shovinizmit”.

Ndërkohë, zyrtarët në Moskë kanë akuzuar vazhdimisht Poloninë se po synon të aneksojë rajonet perëndimore të Ukrainës. Moska ka bërë të ditur gjithashtu se ka zhvendosur disa nga armët e saj bërthamore me rreze të shkurtër veprimi në Bjellorusi, afër kufirit lindor të NATO-s.

Polonia është gjithashtu e shqetësuar për praninë në Bjellorusi, të mijëra mercenarëve rusë Wagner, të cilët kohët e fundit u tha se kishin marrë pjesë në stërvitje pranë kufirit.

Përveç të qenit kufiri i NATO-s dhe BE-së, kufiri lindor i Polonisë përfshin një pikë strategjike, të ashtuquajturin Hendeku Suwalki – 96 kilometra, në kufi me Lituaninë që lidh tri shtetet baltike, Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, me pjesën tjetër të aleancës së NATO-s dhe BE-së. Hendeku i ngushtë ndan gjithashtu Bjellorusinë nga Kaliningradi, një enklavë ruse e militarizuar rëndë që nuk ka lidhje tokësore me Rusinë.

Analistët ushtarakë në Perëndim e kanë parë prej kohësh Hendekun Suwalki si një pikë të mundshme të ndezjes së një konfrontimi midis Rusisë dhe NATO-s.

Qeveria e Polonisë ka deklaruar se nuk do të frikësohet dhe se po ndërton potencialin e saj të mbrojtjes dhe parandalimit dhe po zhvendos trupat dhe pajisjet moderne në lindje, për të forcuar kufirin me Bjellorusinë dhe me Kaliningradin. (Përktheu: Forca Jashari)/koha.net