Ndryshimet kushtetuese përsëri janë në pikëpyetje se a do të ndodhin apo jo. Derisa kryeministri bullgar, Nikollaj Denkov, tha që qëndrimi i Bullgarisë nuk do të ndryshojë. Ai ishte i prerë duke thënë se vetëm me miratimin e propozimit francezë, përmes të cilit edhe u hoq vetoja mund të vazhdohet para

Zenel MIFTARI

Shkup, 28 gusht – Në Slloveni po mbahet Forumi i Bledit,e cila ka në fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE). Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka deklaruar se do të japë dorëheqje menjëherë pas votimit për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Por, ndryshimet kushtetuese përsëri janë në pikëpyetje se a do të ndodhin apo jo. Derisa kryeministri bullgar, Nikollaj Denkov, tha që qëndrimi i Bullgarisë nuk do të ndryshojë. Ai ishte i prerë duke thënë se vetëm me miratimin e propozimit francez, përmes të cilit edhe u hoq vetoja mund të vazhdohet para. “Në fakt bisedimet nuk janë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por mes RMV-së dhe BE-së. Ajo që pritet është që fqinjët tanë të përmbushin detyrimet e marra para BE-së. Nuk ka arsye për të ndryshuar qëndrimin tonë”, tha Denkov.

Në prag të forumit të Bledit, është organizuar një darkë pune nën kujdesin e kryeministrit slloven, Robert Golob, në të cilën kanë marrë pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Tanja Fajon, dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe në të cilin u diskutua për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ecurinë e proceseve reformuese.

Kovaçevski gjatë takimit me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, ku morën pjesë Osmani dhe Mariçiqi, në fokus të bisedimeve ishte fillimi i suksesshëm i procesit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. “Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se ndryshimet kushtetuese paraqesin një shans unik dhe të papërsëritshëm për përparimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut brenda BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të ndikojë pozitivisht në situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në aspektin e zhvillimit ekonomik, si për vendin ashtu edhe për rajonin”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kovaçevski ka shkruar në facebook se ata pajtohen se të gjithë aktorët politikë kanë detyrimin të kontribuojnë në përshpejtimin e integrimit evropian të vendit dhe se Maqedonia e Veriut duhet të përfitojë nga ky shans unik për anëtarësim në BE.

Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, në rrjetin social “X” përshëndeti lidershipin dhe vendosmërinë e Maqedonisë së Veriut për të avancuar në agjendën e reformave të BE-së dhe për të dhënë rezultate konkrete. “Mbështetje e plotë për nismën për të kryer ndryshimet kushtetuese pavarësisht sfidave të shumta politike”, shkroi Michel.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, ka bërë të ditur se kanë pasur “një bisedë shumë të hapur dhe domethënëse me Presidentin e Këshillit Evropian”. “Është detyrimi ynë që të përfitojmë nga atmosfera pozitive dhe në prag të zgjedhjeve evropiane të garantojmë perspektivën tonë evropiane. Synimi ynë është të vazhdojmë me negociatat dhe të kemi sukses, me unitet dhe qasje të përgjegjshme për zbatimin e reformave dhe detyrave që kemi në rrugën drejt BE-së. Perspektiva e BE-së është gjithnjë e më e sigurt, le të përqendrohemi në obligimet nëse duam përparim të shpejtë në negociatat për anëtarësim”, ka shkruar Mariçiq.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nga Sllovenia tha se Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar për realizimin e qëllimit strategjik që RMV-ja deri në vitin 2030 të bëhet anëtare e plotë e BE-së.

Nga ana tjetër, derisa mesazhet për evropianizimin dhe sigurinë po vijnë nga forumi në Bled, një rast e provokoi VMRO-DPMNE-në, e cila tha se nesër kur të kthehen nga Bledi dhe t’ju ​​thonë se janë për BE, tregojini videon e komandantit të policisë i cili gjuan me kallashnikovë dhe tregojuni se është në vendin tonë ku ata të cilat thonë dhe duhet ta zbatojnë ligjin, veprojnë sikur ata të jenë ligji.

Bëhet fjalë për një incizim që tregon se komandanti i stacionit policor në Ropotovë qëllon me automatik në një festë nga tarraca e shtëpisë. Sipas MPB-së, ngjarja ka ndodhur më 19 gusht në një dasmë në shtëpinë e të afërmve të tij në fshatin Debreshtë. Policia njoftoi se ai dje është privuar nga liria, ndërsa Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Penale dhe Standardeve Profesionale do të nisë procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore. Deri në marrjen e vendimit të procedurës disiplinore ai do të pezullohet. “A janë këto parime evropiane që LSD dhe BDI i përmbahen? Vetëm LSD dhe BDI mund të promovojnë vlera të tilla evropiane ku një polic qëllon me kallashnikov”, ka reaguar VMRO-DPMNE.

Ndryshe, kryeministri bullgar sot të marrë pjesë në panelin udhëheqës të edicionit të 18-të të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, i cili këtë vit mbahet nën titullin “Solidariteti për sigurinë globale”, ku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani. (koha.mk)