Vetëqeverisja lokale e Svillares së Poshtme, e mbështetur nga shumica dërrmuese e qytetarëve të kësaj zone, ka ngritur një peticion zyrtar drejtuar Komunës së Sarajt lidhur me paralajmërimin për shitjen e tokës në rrethinën e Svillares së Poshtme.

Në peticion u bëhet thirrje organeve komunale dhe këshilltarëve të Komunës së Sarajt, pa dallim përkatësie politike, që ta kundërshtojnë këtë vendim dhe të veprojnë në interes të qytetarëve.

Sipas nënshkruesve të peticionit, shqetësimi kryesor lidhet me rrezikshmërinë e lartë të planit për shfrytëzimin e kësaj toke, e cila sipas shpalljes parashihet të përdoret për vendosjen e paneleve fotovoltaike. Ata theksojnë se një veprim i tillë mund të sjellë pasoja serioze për banorët lokalë, bujqit që punojnë tokat bujqësore, blegtorët që kullotin bagëtinë e tyre, si dhe kufizime në lëvizje dhe qasje në pronat private.

Vetëqeverisja lokale e Svillares së Poshtme kërkon nga Këshilli i Komunës së Sarajt dhe organet përkatëse që të sillen me përgjegjësi dhe përkushtim institucional, duke marrë vendime të drejta dhe të paanshme, pavarësisht përkatësisë partiake apo zonës që përfaqësojnë.

Me respekt,

Vetëqeverisja lokale

Svillare e Poshtme