Artan Bunjaku, familjar i zyrtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili është vrarë në orët e para të mëngjesit të së dieles në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë në pjesën veriore të Kosovës e banuar me shumicë serbe – ka thënë se kryeministri kosovar Albin Kurti duhet të merret me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e jo t’i përdorë policët në veri.

“Unë e kam një thirrje ndaj kryeministrit, të merret me bisedime e të mos i përdorë uniformat tona në veri dhe mos të humbim jetë të tjera. E falënderoj Policinë e Kosovës të cilët kanë qenë korrekt gjatë informacionit. Është nder dhe krenari t’i shërbejmë vendit, por jo në këtë mënyrë ku nuk kemi mbrojtje prej askujt dhe as përkrahje nga ndërkombëtarët”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës ka njoftuar se janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave policore kosovare afër Manastirit në Banjskë dhe të cilët i ka ftuar që të dorëzohen te organet e sigurisë dhe situata të përmbyllet në mënyrë të qetë.