E gjitha çfarë thuheshte gjithë këtë kohë, muaj e javë duket se mori fund mbrëmjen e djeshme. Sipas disa informacioneve që ka pranuar POPULLI.mk mbrëmë ka pasur një përplasje brenda Aleancës për Shqiptarët ku thuhet se kryetari, Arben Taravari është fjalosur me disa bashkëpartiakë e ndër ta edhe me Ziadin Selën për fotografinë e cila u publikua me eksponentë të ASH-së dhe ato të BDI-së si dhe për bashkëpunimin e afërt që po e shfaqin shumë kohëve të fundit.

Siç duket ditëve në vijim mund të ndodhë edhe ndonjë përçarje tek Aleanca për Shqiptarët, ashtu si u pa të ndodhte edhe tek partitë tjera politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Për POPULLI.mk kanë folur edhe disa anëtarë të ASH-së të cilët kanë dashur të mbesin anonim. Ata thanë se “Në ASH po shohim BDI-zmin të cilin e luftuam me vite. Ne nuk kemi më çfarë të japim në këtë parti andaj po bëjmë disa hapa prapa dhe për shkurt kohë do të dalim edhe para opinionit për t’i treguar qëndrimet tona. Kemi luftuar që ASH-ja të jetë parti e popullit dhe jo parti e pazareve politike ashtu siç dëshirojnë disa individë. Kjo parti politike nuk mendon më për qytetarin, ashtu siç ishte më herët. Disa individë janë shndërruar në vegla të BDI-së dhe e kanë lënë anash si votuesin e ASH-së e poashtu edhe votën që ia besuan qytetarët për ta rrëzuar këtë regjim”. 

Se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt me Aleancën për Shqiptarët mbetet të shihet./populli