“Në këtë shtet asgjë nuk funksionon, për shkak të mosfunksionimit të institucioneve kemi 97 viktima, ku janë të përfshirë edhe 14 viktimat e modulares në Tetovë, dhe deri tash 0 ka të burgosur, kjo tregon se sistemi gjyqësor dhe drejtësia në këtë shtet nuk funksionon. Jam e sigurt që do të ketë shumë reagime dhe do të vazhdojnë protestat dhe të gjitha format e shprehjes së revoltit”, tha Elmedina Abdullahu nga “Më mirë për Tetovën”
Urim HASIPI
Tetovë, 16 gusht – Qindra qytetarë sot kanë protestuar para Gjykatës Themelore të Tetovës duke akuzuar gjyqësinë se po fsheh fajtorët për zjarrin në Spitalin modular në Tetovë, ku jetën humbën 14 pacientë dy vite më parë. Protestuesit akuzuan se nga katër fatkeqësi që i kanë ndodhur vendit së fundmi, ka 97 viktima, ndërsa asnjë nuk është dënuar.
Me pankarta në duar, me thirrje e me shumë revoltë, qindra qytetarë dolën për të shprehur mllefin dhe pakënaqësinë e tyre në formë proteste. Shkarkimi i prokurorit Ljubomir Jovevski dhe dënimi i fajtorëve të vërtetë për pakujdesinë dhe zjarrin e shkaktuar në spitalin modularë, ishin kërkesat kryesore të protestuesve.
Organizatorët thanë se sistemi i drejtësisë dhe pushteti aktual është fajtorë që për 4 vite kemi 96 viktima dhe asnjë person prapa grilave. Sipas tyre, tenderët pa kritere dhe pazarllëqet janë shkaktari kryesorë e këtyre aksidenteve të kobshme që ndodhin në vazhdimësi.
“Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tenderëve pa kritere. U pa se korrupsioni vret. Nga ky proces u vërtetua që Prokuroria dhe Gjykata janë pjesë dhe mbrojtës të krimit të organizuar që e mban peng shtetin. Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht ta shkarkojë Kryeprokurorin Joveski dhe ai bashkë me prokurorët tjerë të përfshirë në këtë vepër monstruoze të përgjigjen penalisht. Kërkojmë të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin, tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë Brako. Pa drejtësi nuk do të ketë qetësi”, tha Elmedina Abdullai nga iniciativa “Më mirë për Tetovën”, iniciativë kjo që organizoi protestën. Qytetarët që ishin në protestë thonë se e ndjejnë obligim që të dalin në protestë dhe të solidarizohen me familjarët që humbën më të dashurit e tyre në natën e 8 shtatorit të vitit 2021.
“Pikërisht për shkak të fakteve të reja që kanë dalë u ringjall revolta jonë për rastin që ka ndodhur këtu. Vendimi për të dal në protesta ishte pikërisht për këtë gjë. Kërkojmë drejtësi padyshim. Jemi dëshmitarë të shumë rasteve që kanë epilog jo të drejtë në favor të disa personave dhe disa subjekteve. Kisha kërkuar që së paku këto raste që janë shumë të ndjeshme të kenë epilog. Ashtu siç duhet dhe të përfundojnë në favor të drejtësisë e jo duke e favorizuar dikë”, tha një protestues. Protestuesit u shprehën se askush nuk merr përgjegjësi kurse rastet vetëm na shtohen.
“Ka raste dhe raste që ndodhin pa përgjegjësi totale. Askush nuk merr përgjegjësi kurse rastet vetëm na shtohen. Nëse nuk protestohet do të na gjejë edhe më keq. Çdo kush e ka detyrë kundër padrejtësisë të protestohet. Së bashku me ju gazetarët por edhe neve qytetarëve. Popullata është shumë e revoltuar dhe askush nuk merr asnjë aksioni për tu përmirësuar gjendja. Çdokush do të duhej të ishte sot këtu. Për të mirën e fëmijëve dhe gjeneratave të reja”, u shpreh një protestues. Organizatorët e protestave thonë se do të vazhdohet me aktivitete të tilla deri sa të zbardhet plotësisht ngjarja dhe deri sa të dalin para drejtësisë fajtorët e vërtetë të këtij rasti. Protesta kaloi e qetë dhe pa incidente.
Ndryshe, në zjarrin e 8 shtatorit 2021, në spitalin modular të Tetovës për trajtimin e pacientëve me virusin COVID-19, vdiqën 14 pacientë. Institucione të ndryshme kompetente e kanë cilësuar rastin si aksident, ndërsa u tha se zjarrin e shkaktoi një kabllo zgjatimi me një mbushës telefoni aty. Faji për fatkeqësinë në Tetovë në vitin 2021 nga autoritetet iu atribuua në mënyra të ndryshme rrethanave fatkeqe. Megjithatë, hulumtimi i IRL-së identifikoi një sërë gabimesh në hartimin e projektit nga pikëpamja ligjore dhe teknike, një sërë shkeljesh të ligjeve dhe mangësi operacionale. Gjatë hulumtimit, ekipi i gazetarëve të IRL-së ka siguruar 585 dokumente të shkruara në 5455 faqe.
Hulumtimi konstaton neglizhencën e vazhdueshme të udhëheqësve në institucionet e sistemit si dhe ndikimet e thella politike dhe ekonomike në autoritetet shtetërore. Vëmendje e veçantë i kushtohet gjyqësorit që qëllimshëm bllokon dhe anashkalon hetimin serioz në këso tragjedi si zjarri në Tetovë. Konstatohet gjithashtu se, do të ishin shpëtuar jetë nëse do të respektohej Ligji për Ndërtim dhe Ligji për Veprimtari Shëndetësore. Në atë rast do të ishin paraparë materialet e duhura dhe do të ishte projektuar një konstruksion i përshtatshëm sipas standardeve minimale teknike për mbrojtje nga zjarret dhe shpërthimet në një objekt me qëllim të kryerjes së një aktiviteti shëndetësor. Një pjesë e këtyre kërkesave minimale teknike janë për shkak të rritjes së kohës së rezistencës ndaj zjarrit me qëllim evakuimin në kohë.
Vetëm nëntë muaj pas tragjedisë, Prokuroria kishte hapur dy hetime. E para është udhëhequr nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë, e cila i heton shkaqet e zjarrit, ndërsa e dyta – Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila duhej të konstatonte lëshimet dhe keqpërdorimet e mundshme në dokumentacionin e tenderit. Në hetimin e Prokurorisë së Tetovës ishin përfshirë pesë prokurorë. Tre nga Tetova dhe dy nga Shkupi, të deleguar me urdhër të prokurorit publik të shtetit Ljubomir Joveski.
Megjithatë, hetuesit gjermanë të angazhuar nga Qeveria dhe eksperti elektro-inxhinier nga Tetova, Irfan Shaqiri, shkaqet e vërteta të zjarrit i kishin gjetur në konstruksionin e papërshtatshëm dhe instalimin elektrike të keq ekzekutuar. Në hetimin e gjermanëve dhe të Shaqirit, thuhet se instalimi elektrik i instaluar nga kontraktori “BRAKO” është bërë në mënyrë të paligjshme dhe të paligjshme, pa projekt dhe nga një punonjës i kompanisë pa licencë. Gjithashtu, konstatohet se specifikimi teknik i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë nuk mund të përmbushte standardet minimale ligjore për siguri. Personi që ka qenë përgjegjëse për përgatitjen e specifikacionit teknik dhe firma e së cilës është në këtë dokument, Vanja Andonova, pasi digjet spitali, dorëhiqet nga puna e Ministrisë së Shëndetësisë dhe nis punën e re si arkitekte në kompaninë “BRAKO”. (koha.mk)
