Thirrje për përmirësimin e kushteve dhe qasjen e personave me aftësi të veçanta në institucione është bërë shumë herë, por shumë pak është punuar në këtë drejtim deri tani, si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror por në aspektin shoqëror
Urim HASIPI
Tetovë, 11 shtator – Personat me aftësi të veçantë hasin në vështirësi gjatë lëvizjes me karroca nëpër qytetin e Tetovës. Qasja në trotuare e sidomos në institucione është shumë sfiduese për ta. Gadaf Memedi, një djalë punëtorë dhe shumë i zellshëm, i cili shfrytëzon karrocën elektrike për të lëvizur, tregon se sa e vështirë është për të që të nxjerr dokumentet e nevojshme që i nevojiten. Ai madje tregon se para se të takohet me ne, ka pasur punë në një zyre që gjendet në katin e dytë dhe se ajo godinë nuk ka pasur ashensorë, ndërsa Gadafi është dashur që të lus dikë t’ia zbres dokumentet poshtë. “Unë kam pasur punë në një institucion, është dashur që të thërras ndonjë person që të del dhe të zbret poshtë, të marr dokumentet dhe të kryejë punë, nga pamundësia pasi që zyra ndodhet në katin e lartë ku nuk ka qasje për kategorinë tonë. Prandaj, nëse nuk ka ndonjë ndihmë nga personat që janë brenda ne nuk mund të kemi qasje as në këtë mënyrë”, thotë Gadaf Memeti.
Ai thotë se nuk ka vërejtur fare përmirësim të situatës pavarësisht thirrjeve të njëpasnjëshme që personave me aftësi tu lehtësohet qarkullimi dhe qasja nëpër institucione. “Nuk ka asnjë ndryshim, qasje në institucione nuk ka, rampa nuk ka, kurse edhe atje ku ka rampa të njëjtat nuk janë sipas standardeve sepse nuk e kanë pjerrtësinë e duhur. Poashtu kemi probleme sepse nëpër shumë trotuare mungojnë vendet adekuate ku mund të ngjitësh ose zbresësh, si dhe problemi me veturat e parkuara në trotuare, ku shkaku I tyre ne nuk mund të lëvizim me karroca”, ankohet ai.
Nga ana tjetër, Gëzime Hajredini nga Shoqata “Dora e Artë”, të cilët merren me të drejtat e personave të veçantë, thotë se mungesa e infrastrukturës për personat që lëvizin me karroca është evidente. Ajo u bën thirrje organeve kompetente që të jenë më të kujdesshëm dhe të marrin masa konkrete për përmirësim të situatës aktuale. “Kjo dukuri është në Tetovë, me përjashtim të disa institucioneve që e kanë këtë por nuk është e mjaftueshme meqë nuk kanë qasje gjithandej këta persona dhe të shkojnë deri në vendin ku kanë qëllim që të kryejnë punët e tyre. Prandaj kërkojmë nga institucionet që të kenë më shumë kujdes më shumë të kenë qasje personat me aftësi të kufizuar personat në çdo vend në çdo lokalitet”, tha Gëzime Hajredini nga Shoqata “Dora e Artë”.
Thirrje për përmirësimin e kushteve dhe qasjen e personave me aftësi të kufizuara në institucione është bërë shumë herë, por shumë pak është punuar në këtë drejtim deri tani, si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror por në aspektin shoqëror. (koha.mk)
