Qeveria paralajmëron masa për uljen e çmimeve të frutave dhe perimeve. Duan të ulen çmimet e domateve, trangujve, vezëve. Kjo vjen pas analizës së Inspektoratit Shtetëror të Tregut në katër zinxhirë marketesh, ku është konstatuar se te ky lloj produktesh ka rritje dyshifrore të çmimeve, përkatësisht mbi 10%.

Ndërkohë, kontrolli i ISHT-së ka përfshirë 55 produkte më të shitura, ku te pjesa më e madhe e tyre, kur janë krahasuar çmimet e 1 shkurtit dhe 1 prillit, kanë treguar rritje mesatare prej rreth 0,4%. Sipas analizës, marzhi mesatar i fitimit të marketeve është ulur nga rreth 15% në 14,7%, që sipas Qeverisë do të thotë se rritja e çmimeve nuk vjen nga rritja e fitimeve të marketeve.

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk paralajmëroi masa të targetuara për qytetarët, por është zgjatur gjendja e krizës, me çka TVSH-ja për karburantet mbetet e ulur nga 18% në 10% deri në fund të muajit. Mickoski nuk pret që për shkak të çmimeve të naftës në bursat botërore të ketë goditje më të madhe inflacioni në prill.

“Ne nuk duhet të presim goditje më të madhe, sepse pjesëmarrja me përqindje e asaj pjese për të cilën janë rritur shpenzimet e transportit, nuk na jep të drejtë të mendojmë se do të kemi rritje të madhe inflacioniste për muajin e ardhshëm, sepse hyrja në çmimin final të shpenzimeve të transportit krahasuar me rritjen e marzhës së çmimeve të naftës dhe benzinës nuk është aq e madhe, flasim për 1–2%”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se javën e ardhshme, nëse mbeten çmimet aktuale të naftës në bursat botërore, është e mundur ulje shtesë e çmimeve të karburanteve në Maqedoni. Ai theksoi se deri në fund të prillit, është në fuqi vendimi i OKTA-s për të dhënë zbritje prej 3 denarësh për naftën dhe 2 denarësh për benzinën.

“Po negociojmë për karburantin dizel, sepse ai është 75% e portofolit total të konsumit, që të ketë të paktën edhe një zbritje shtesë, do të shohim, mendoj se po “shtyhemi” për edhe një denar për litër”, u shpreh theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Rezervat shtetërore deri tani nuk janë përdorur fare dhe janë të mjaftueshme për 62 ditë të konsumit mesatar ditor. Për më tepër ka rezerva edhe për dy muaj në përçuesin Selanik–Shkup. Nga Qeveria thonë se situata po ndiqet me kujdes dhe se do të merren masa nëse ka presione të reja çmimesh mbi ushqimin dhe energjinë.