Gjatë fushatave zgjedhore kandidatët për deputetë shkojnë derë më derë për të kërkuar votën, por pasi zgjidhen, a janë të qasshëm për qytetarët!? TV21 pyeti qytetarët se a kanë komunikim me deputetët që i kanë votuar dhe a dëgjohet zëri, ose kërkesat e tyre. Shumica thanë se ndihen të neglizhuar dhe se politikanët punojnë vetëm për interesat e veta.

https://youtube.com/watch?v=rVjmtkgZ8oI%3Ffeature%3Doembed

Sa punojnë deputetët për qytetarët?

Aspak, jo vetëm kjo përbërje e re por edhe më përpara nuk kanë punuar aq sa duhet për popull, punojnë, mendojnë dhe flasin në emër të popullit ndërsa faktikisht nuk punojnë fare për popullin.

Domethënë puna është e dobët, nuk është në rregull askund hiç. Puna e parë nuk ka autobusë, por edhe gjërat tjera nuk janë në vende të veta.

A keni provuar ndonjëherë të kërkoni takim me ndonjë deputet?

Jo, jo.

Por nga shoqëria juaj a ka kërkuar ndokush ose a është ankuar te ndonjë deputet?

Jo, ne jemi klasa punëtore, çfarë të kërkojmë, nuk na pranon askush ne.

Dobët i dëgjojnë kërkesat, dobët. A ndihmojnë!? Dihet kujt u ndihmojnë, mes vete ndihmohen. Mes vete ndihmohen, ndërsa për popullin jo.

Mendoj se janë të qasshëm por unë nuk kam provuar asnjëherë t’i pyes, atë ditë që e kanë të premten. Nuk mendoj se punojnë për popullin por më shumë për vete.

“Kuvendi në bashkëpunim me komunat ka për obligim që t’i sigurojë qytetarëve hapësira në kuadër të komunave, ku banorët mund të takojnë deputetët e përzgjedhur të asaj zone dhe të shpalosin shqetësimet dhe të bisedojnë për problematika të ndryshme. Aktualisht ndodhem në komunën e Çairit dhe jemi drejtuar për të hapësira, ku qytetarët, gjegjësisht banorët e kësaj komune, çdo të premte mund të takojnë deputetët dhe të zhvillojnë një takim për problemin, hallin që kanë ose propozimin”, raporton Almedina Ismajli, gazetare e TV21.

Pyetëm edhe deputetët se sa shihen me qytetarët dhe në çfarë formash i realizojnë takimet. Deputetja e opozitares ASh Ilire Dauti, u ankua se komuna e Zhelinës, ndonëse e ka obligim, nuk i ka siguruar zyrë as mandatin e kaluar e as këtë mandate për t’u takuar me banorët e zonës.

“Në pamundësi për ta pasur në kuadër të komunës, në zyrën time si deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka qenë e qasshme vazhdimisht për çdo kënd që ka dashur të më takojë, dhe çdo kujt tjetër që i ka ardhur larg aty, unë jam munduar që të jem e kapshme dhe e disponueshme gjithmonë të takohemi kudo që të jetë, ku u ka kuvenduar edhe qytetarëve. Por mbi të gjitha unë kam realizuar të gjitha ato biseda, sidomos ndërmjet telefonit, sidomos kur ka qenë situata për rastin për rastin për shtetësinë por edhe për çdo brengë tjetër që mund të kenë pasur qytetarët , që kanë menduar se duhet ta ndajnë me mua”, tha Ilire Dauti, deputete e Frontit Europian.

Ndërsa deputetja e koalicionit qeverisës VLEN, Feride Haxhiu thotë se vazhdimisht janë në kontakt me qytetarët, edhe në zyrë edhe në terren. Ndonëse e njëjta në mungesë të një hapësirë në komunën e Sarajit, takimet i realizon në komunën e Çairit.

“Nuk është numri aq i madh, mirëpo besoj në realizimin e kërkesave dhe mbështetjes që e kemi ne për ato. Mirëpo ne qytetarët nuk i takojmë vetëm në atë orar të caktuar, domethënë i takojmë edhe ditëve të tjera jashtë orarit të paraparë, i takojmë edhe në vendbanime të ndryshme të cilat takime nuk i kemi bërë edhe publike pasi që janë takime individuale dhe nuk e shohim etike që për çdo takim që e mbajnë qytetarët t’i eksponojmë edhe në profilet tona”, theksoi Feride Haxhiu, deputete.

Ndonëse duhet të ketë 75 zyra nëpër komuna, në të cilat zhvillohen takime deputetë-qytetarë, nga Kuvendi për TV21 thanë se aktualisht funksionojnë vetëm 31.