Zgjidhja e premtuar për digjitalizimin e evidentimit të studentëve gjatë regjistrimit nëpër konvikte studentore, nuk u realizua as këtë vit dhe kjo shkaktoi rradhë të gjata studentësh para konviktit “Goce Dellçev”, një nga konviktet më të mbushura në kryeqytet 

Shkup, 7 shtator – Zgjidhja e premtuar për digjitalizimin e evidentimit të studentëve gjatë regjistrimit nëpër konvikte studentore, nuk u realizua as këtë vit dhe kjo shkaktoi rradhë të gjata studentësh para konviktit “Goce Dellçev” në kryeqytet. Anita, një studente e vitit të dytë në Fakultetin Pedagogjik të Shkupit, për gazetën KOHA ka rrëfyer se është frustrues fakti që duhet të presin gjatë për të dorëzuar dokumentet në mënyrë që të vendosen nëpër dhoma. “Unë vij nga Kumanova dhe duhet të qëndroj në konvikt. Përveç lodhjes gjatë procedurës pranuese që e kalojmë, edhe çmimi për të qëndruar në konvikt është rritur krahasuar me vitin e kaluar kur ishte 300 denarë më lirë, tani është 3945 denarë. Për dikë mund të mos jenë shumë, por për një student janë”, tha studentja nga Kumanova.

Vitin e kaluar çmimi i akomodimit në këtë konvikt ishte 3645 denarë, ku përfshihej edhe ushqimi. Një tjetër pakënaqësi e studentëve është edhe heqja e rezultateve pranuese nga faqja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila krijoi konfuzion të madh përshkak se shumica e studentëve nuk kanë arritur të kuptojnë nëse janë pranuar në konvikte apo jo.

Sa i përket premtimit për digjitalizimin e procesit të akomodimit, drejtori i Konviktit Shtetëror të Studentëve – Shkup (KSHS), Viktor Velevski sqaron se listat e studentëve të pranuar i krijon Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe më pas ia dërgon KSHS-së. “I gjithë sistemi nuk është i yni, ne nuk mund të qasemi në atë sistem. Kemi kërkuar që MASH që të na përfshijë edhe në komisionet që vendosin për akomodimin. Ndodh, për shembull, që dy binjakë, njërin ta vendosim në një konvikt, ndërsa tjetrin në një tjetër. Pra, ne duhet t’i zgjidhim këto gjëra, por ne nuk kemi autoritet t’i zgjidhim ato. Njësoj është edhe me digjitalizimin, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e pranoi atë që ne e kërkuam dhe për këtë arsye ka radhë të studentëve që presin të vendosen në konvikt”, sqaroi Velevski.

Ai gjithashtu ka dhënë informacione mbi numrin e vendeve të lira nëpër konviktet e tjera të kryeqytetit.  “Në ‘Goce Dellçev’ ka 1.176 vende, tani janë plotësuar 960. Vendet e tjera MASH-i i lë të lira për studentët e vitit të parë. Interesimi është më i madh për këtë konvikt sepse këtu kushtet për banim janë më të mira. Në Stiv Naumov godinat një dhe dy janë jashtë funksionit që nga viti 2019. Atje funksionon godina e tretë, në të këtë vit do të ketë studentë, por do të jetë me gjysmë kapaciteti, dmth do të vendosen 359 studentë, ndërkohë që vend ka për 620. Kjo bëhet për shkak të problemeve me rrjetin e kanalizimit që e bën të pamundur përdorimin e tualeteve për shkak se bllokohen. Aty ka edhe pavijone ku kapaciteti është 138, e që çdo vit mbushen deri në vendin e fundit. Kemi lënë dhoma të veçanta për personat me aftësi të kufizuara, ku çdo gjë është e përshtatur për ta”, informoi Velevski. (koha.mk)