Ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dëshmoi para Komisionit Anketues në Kuvend për skandalin në Klinikën e Onkologjisë, përcjell TV21. Ai para deputetëve u shpreh se gjatë menaxhimit të tij me Ministrinë, nuk ka pasur lëshime në punën e Klinikës së Onkologjisë. Sa i përket mënyrës së dhënies së terapisë, thotë se nuk ka pasur njohuri.

“Dhënia, kontrollimi i ilaçeve është punë e menaxhmentit. Ministri nuk e di si jepen terapitë. Kjo është punë e motrës kryesore, gjithnjë kështu ka qenë. Mjeku Vasev konsideroj se është profesionist i shkëlqyer, gjithnjë është përpjekur të ndihmojë. Nëse ka dyshime në punën e tij, duhet të hetohet”, tha Filipçe.

Filipçe para deputetëve tha se nuk ka qenë i njohur me KATO-sistemin i cili me vite të tëra ka qenë jashtë funksionit në Onkologji.

Mënyrën e furnizimit të medikamenteve me revers e arsyeton se bëhet me qëllim që pacientët të mos mbetin pa ilaçe.