Deputeti i zonës, Blerim Bexheti, ka reaguar përmes rrjeteve sociale pas ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në Likovë, ku është plagosur mjeku dhe kandidati Dr. Zekirija Shahini, specialist në Qendrën Klinike Universitare.
Në reagimin e tij, Bexheti shpreh tronditje të thellë dhe dënon ashpër aktin e dhunës ndaj Dr. Shahinit, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj dinjitetit njerëzor dhe vetë shoqërisë.
“Jemi thellësisht të tronditur nga ajo që ndodhi sot në Likovë.
Miku jonë, Dr. Zekirija Shahini, kandidat dhe mjek në Qendrën Klinike Universitare, është goditur nga një sulm i armatosur.
Dhuna, pavarësisht kujt i drejtohet, është sulm ndaj dinjitetit njerëzor dhe ndaj vetë shoqërisë sonë.
Falë Zotit, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
U bëjmë thirrje institucioneve të reagojnë me shpejtësi, transparencë dhe vendosmëri për të zbardhur këtë rast dhe për të siguruar drejtësi.
Shërim të shpejtë, Zekerija!”, – ka shkruar Bexheti.
Deputeti ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë dhe të sigurojnë zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa ka përcjellur edhe urimet për shërim të shpejtë për Dr. Shahinin.
