Akademia e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni ka reaguar pas përplasjeve të qëndrimeve te partitë politike, në lidhje me nismën e VLEN, që të krijohet Akademia Shqiptare e Shkencës dhe Arteve në Maqedoni, shkruan TV21. Nga ASHAM thonë se në përbërjen e këtij institucioni në dekadën e fundit ka pasur anëtarë shqiptarë, ndërsa thonë se vendin tonë nuk mund ta përfaqësojë asnjë institucion tjetër në asociacionet akademike ndërkombëtare.
“ASHAM ka qenë gjithmonë e hapur për të gjithë qytetarët që plotësojnë kriteret e larta shkencore dhe artistike për anëtarësim, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër. Partitë politike dhe ndikimet e tyre nuk kanë pasur kurrë vend në të. Nga themelimi e deri më sot, anëtarë të Akademisë kanë qenë pjesëtarë të popullit maqedonas, por edhe të të gjitha bashkësive etnike. Ndër të tjera, në dekadën e fundit në përbërjen e ASHAM-it ka pasur katër anëtarë të bashkësisë etnike shqiptare (nga të cilët, në tre përbërjet e njëpasnjëshme, njëri ishte sekretar akademik, dhe dy nënkryetarë të Akademisë, prej të cilëve njëri është në udhëheqësinë aktuale), si dhe tre anëtarë jashtë formacionit të punës. Në fund, theksojmë se në Maqedoni, si dhe në vendet e rajonit dhe kudo në botë, ekziston vetëm një akademi kombëtare që përfaqëson shtetin në asociacionet evropiane dhe të tjera ndërkombëtare të akademive. Kryesia bën apel që ASHAM mos të përfshihet në debate politike ditore dhe në diskutime partiake që rëndojnë veprimtarinë e rregullt të Akademisë dhe i përkasin domenit të legjislativit dhe institucioneve shtetërore”, thuhet mes tjerash në reagimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë./tv21.tv
