Deklarata e Kryeministrit për Luftën e UÇK-së është fyerje e drejtpërdrejtë për shqiptarët dhe për historinë e drejtë të demokracisë në vend. Kështu e nis reagimin BDI ndaj deklaratës së kryeministrit Mickoski për luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, se “nuk mund të jetë luftë e arsyeshme dhe e drejtë, kur nga pritë vriten pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes”.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka qenë e drejtë, e shenjtë dhe vendimtare për demokratizimin e shtetit, për kthimin e paqes, për trajtimin e barabartë të të gjitha komuniteteve dhe për arritjen e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, marrëveshje që vetë kryeministri sot e sulmon, si me platformën e tij politike, ashtu edhe me praktikat e përditshme të qeverisjes”, thuhet në reagimin e BDI-së, ndërsa shtojnë se UÇK-ja ishte ushtri e organizuar, me uniformë dhe simbole të qarta, që respektonte konventat ndërkombëtare dhe kontribuoi në instalimin e paqes në vend.

“Kjo është dallimi themelor nga ata që kryeministri sot i quan ‘heronj’, ndërsa dje u dënuan për krime lufte, individë që në mënyrë tinëzare dhe qyqare vranë të pafajshëm. Kryeministri mund të poshtërojë publikisht vetëm vazalët e tij politikë mbi këtë temë, por jo shqiptarët dhe jo të vërtetën historike. Asnjë manipulim politik nuk mund të fshijë rolin e UÇK-së në mbrojtjen e lirisë, në sjelljen e barazisë, demokratizimin e vendit dhe në garantimin e paqes që gëzojmë sot”.

BDI, thuhet më tej në reagim, nuk do të lejojë që historia të shtrembërohet nga ata që duan ta përdorin për përfitime të përkohshme elektorale. “UÇK-ja nuk është temë e së kaluarës, por themel i barazisë dhe paqes që duhet të mbrohet çdo ditë”.