I dërguari për misione speciale i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me qasjen ndaj Kosovës të Administratës së ish-presidentit Joe Biden dhe ish-presidentit Barack Obama.

Një një intervistë në RTK, Konjufca ka thënë se qasja e ish-presidentëve amerikanë e ka vënë Kosovën në një pozicion të disfavorshëm karshi Serbisë.

Sipas tij, këto veprime të dy ish-presidentëve amerikanë, kanë qenë shtysë edhe e themelimit të Gjykatës Speciale.

“Dhe neve, me thënë të drejtën, gjatë kësaj kohe na kanë ndodhur disa çështje të cilat i ka shty Serbia, të cilat shumë e kanë dëmtu reputacionin dhe shtetësinë e Kosovës, për shembull Gjykata Speciale. Unë nuk mendoj që Gjykata Speciale do të ishte bërë nëse veç Bashkimi Europian kishte qenë në anën e Gjykatës Speciale. Këtë po e garantoj, nuk do të ishte bërë. Ishim bërë ne bashkë këtu, me PDK-në, me LDK-në, me Vetëvendosjen e me krejt edhe nuk do të kishte ndodhur”- ka deklaruar Konjufca.

E ndaj kësaj deklarate të kryekuvendarit të Kosovës ka reaguar i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për misione të veçanta, Richard Grenell.

Në një postim në rrjetin social “X”, Grenell ka shkruar se ata kanë qeverisur katër vite dhe deri më tani nuk janë ankuar për një gjë të tillë ndaj Administratës së Biden dhe asaj Obama.

“Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”- ka shkruar Grenell sot, më 22.01.2025.

https://twitter.com/RichardGrenell/status/1882092819516670365?mx=2