Rojet kufitare Saudite janë akuzuar se kanë vrarë qindra etiopianë duke përdorur armë të vogla dhe shpërthyese në një “fushatë”, që avokatët e të drejtave sugjerojnë se mund të përbënte një krim kundër njerëzimit.
Pretendimet tronditëse janë bërë në një hetim të detajuar nga Human Rights Watch, i cili intervistoi dhjetëra etiopianë, të cilët thanë se u sulmuan nga rojet kufitare ndërsa përpiqeshin të kalonin në Arabinë Saudite nga Jemeni.
Duke përdorur imazhe satelitore, fotografi të viktimave nga më shumë se 20 incidente, dëshmi nga të mbijetuarit dhe ekzaminimin e ekspertëve mjeko-ligjorë të plagëve të të mbijetuarve, HRW ka krijuar një pamje bindëse dhe të tmerrshme të një fushate të përshkallëzuar të dhunës ekstreme që synon njerëzit që përpiqen të kalojnë kufirin.
Dëshmitë përshkruajnë ngjarje fatale masive që përfshijnë një numër të konsiderueshëm grash dhe fëmijësh të vrarë nga granatimet, me njerëz të vdekur dhe pjesë trupash përgjatë shtigjeve.
Hulumtuesja kryesore e HRW në raport, Nadia Hardman, i përshkroi gjetjet si “të turpshme”.
“Unë mbuloj dhunën në kufi, por kurrë nuk kam hasur në diçka të kësaj natyre, përdorimin e armëve shpërthyese, përfshirë kundër grave dhe fëmijëve”, tha Hardman.
Raporti bazohet në një numër në rritje të provave të shkeljeve jashtëzakonisht të rënda të të drejtave të njeriut në kufirin saudio-jemen.
Vitin e kaluar, Raportuesit Specialë të OKB-së i shkruan qeverisë saudite me akuza për vrasjen e qindra emigrantëve.
Në qershor, Projekti i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin për Migrantët e Zhdukur publikoi vlerësimin e vet të viktimave në kufirin saudit.
Ai tha se të paktën 795 njerëz, “besohet se ishin kryesisht etiopianë”, kishin vdekur.
Në mars, qeveria saudite “mohoi kategorikisht” pretendimet e raportuesve të OKB-së për një “model të dukshëm sistematik të vrasjeve ndërkufitare në shkallë të gjerë, pa dallim nga forcat e sigurisë saudite kundër migrantëve, përfshirë refugjatët dhe azilkërkuesit dhe viktimat e trafikimit”.
Hetimi i fundit për abuzimet në një zonë kryesisht të mbyllur për gazetarët e huaj dhe punonjësit e ndihmës është tabloja më e detajuar e asaj që po ndodh në kufi./koha.mk
