Një fëmijë i vogël pa pantallona rri ulur në shkallët e barakës. Andreea, 24 vjeç, me flokë të gjata të zeza dhe me një bluzë me gurë të ndritshëm, shikon mbesën e saj pa lëvizur. “Edhe vajza ime ishte një vjeç, kur vdiq”, thotë ajo befas. Përse? Ajo hesht, nuk e di, ndoshta nuk do ta kujtojë. Pastaj thotë papritur, kishte ftohje. “Mjekët i dhanë mjekimin e gabuar”. Kur vajzës i hipën ethet, ajo thirri ambulancën. Dy orë më vonë fëmija kishte vdekur.

Baraka me llamarinë të valëzuar është tetë metra katrorë, brenda ka një qilim oriental, shtretër portativë dhe një pllakë gatimi. Andreea është në muajin e shtatë të shtatzanisë, ajo nuk dëshiron ta thotë emrin e saj të vërtetë. Ajo është romni, i përket minoritetit rom. Andreea ka lindur në Itali. Edhe vajza e saj kishte lindur në Itali, por Andreea nuk pati mundësi ta çonte atë te pediatri, sepse nuk ka akses në asistencën shëndetësore. Familja nuk ka leje banimi prej dekadash. Ashtu si mijëra romë të tjerë në kryeqytetin italian, ajo jeton në një nga tetë kampet rome, që fillimisht u menduan si strehimore emergjente dhe më pas u bënë të përhershme – në Via di Salone, në një periferi të largët në lindje të Romës.

Varfëri e skajshme

Aty pranë është vetëm autostrada që të çon nga Roma në l’Aquila. Këto baraka janë ngritur nga qyteti para 20 vjetësh: me energji elektrike dhe me ujë, me materiale që prishen shpejt. Në muret e jashtme janë spërkatur me bojë numrat. Kjo është e gjitha. Disa kanë një tualet, të tjerët lahen me zorrë. Njerëzit vijnë nga Serbia, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, shumë kanë pasaporta italiane – ose nuk kanë fare pasaportë. Nganjëherë vijnë banorë të kampeve të tjera për t`u zënë. Në hyrje ka një roje policie. Kur dëgjohet zhurmë, ajo ndonjëherë ndërhyn.

Kush hyn në këtë kompleks, sheh varfëri të skajshme. Të rriturit me dhëmbë të prishur, me sy të sëmurë, shumë gra janë shtatzëna, fëmijët luajnë mbi male me mbeturina, aty ka rroba të vjetra, pajisje shtëpiake të prishura dhe hekurishte. Gjysma e rreth 300 banorëve në këtë kamp janë fëmijë. Dhe në mbrëmje vijnë minjtë. Të flasësh me gazetarët? “Ti e sheh si jetojmë këtu”, thotë kunata e Andreas, e cila sapo ka dalë nga baraka. “Ata na kanë hedhur këtu si qen të braktisur”.

Sipas organizatës humanitare “Associazione 21 luglio” në Itali ka rreth 180 mijë romë. Gjysma e tyre kanë shtetësi italiane. Shifrat variojnë, një regjistrim i bazuar në kritere etnike është i ndaluar. Dhjetë për qind e romëve jetojnë në kampe, shumica e tyre në qytetet e mëdha. Për politikën janë halë në sy. Dhe ajo i krijoi vetë ato, kur dhjetëra mijëra romë erdhën në vitet 1990 nga vendet e ish-Jugosllavisë. Por vështirë të ketë një vend tjetër, ku intoleranca ndaj pakicës rome të jetë kaq e lartë. Sipas një sondazhi të Institutit italian kundër Diskriminimit Racor në mars 2023 më shumë se gjysma e të pyeturve u përgjigjën, se romët përbëjnë rrezik për shoqërinë. Në kryeqytetin Romë ishin më shumë se dy të tretat. Politikanët ende flasin për “nomadi”, për nomadët, megjithëse romët jetojnë në këtë vend mesdhetar prej afro 600 vjetësh dhe vetëm tre për qind e tyre nuk janë sedentarë. Dhe minoriteti nuk është i mbrojtur, ndryshe nga vendet e tjera të BE, megjithëse Italia është paralajmëruar qartë, që ta bëjë këtë. (DW)