Kryetari Iljas Veseli njofton për përfundimin e procedurave dhe fillimin e afërt të punimeve në rrugën që lidh objektin komunal me hyrjen e vendbanimit Krushopek.
📍 Saraj, 10 tetor 2025 – Kryetari aktual i Komunës së Sarajit, Iljas Veseli, përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar për përfundimin e të gjitha procedurave për nisjen e një tjetër projekti të rëndësishëm infrastrukturor.
Sipas Veselit, projekti parasheh rindërtimin dhe rikonstruktimin e rrugës që nis nga objekti i komunës dhe përfundon në hyrje të vendbanimit Krushopek, rrugë kjo me rëndësi të madhe për lëvizjen e qytetarëve dhe zhvillimin lokal.
“Sot, të nderuar bashkëqytetarë të Sarajit, dua të ndaj me ju një lajm të mirë për një projekt tjetër infrastrukturor për të cilin me ditën e sotme i kemi përmbyllur të gjitha procedurat për realizimin e tij. Bëhet fjalë për rikonstruimin e rrugës nga objekti komunal e deri në hyrje të vendbanimit Krushopek, realizimi i së cilës do të fillojë shumë shpejt,” – ka shkruar Veseli.
Kryetari theksoi se komuna do të vazhdojë me përkushtim në realizimin e projekteve konkrete, duke u fokusuar në përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët e Sarajit.
“Vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe realizojmë vepra konkrete në të mirën e qytetarëve tanë,” – shtoi ai në fund të postimit.
Ky projekt vjen si pjesë e programit të vazhdueshëm të komunës për modernizimin e infrastrukturës rrugore, me synim lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
