Gazetari Furkan Saliu ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke rikujtuar ngjarjet e 27 prillit 2017 dhe duke i lidhur ato me debatet aktuale për rolin e ambasadorit shqiptar në Shkup.

Saliu ka treguar kur si gazetar i TV21, ishte dërguar në Kuvend pasi pritej votimi i Kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit – një moment që ai e cilëson historik për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ai kujton se në Kuvend ishte edhe ish-kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, të cilin – sipas tij – e pa duke u larguar nga ndërtesa në një ditë të rëndësishme politike.

Në reagimin e tij, Saliu thekson se mbrëmja e 27 prillit rrezikoi seriozisht jetën e një deputeti shqiptar, duke shtuar se “vetëm mëshira e Zotit e shpëtoi nga vdekja”.

Duke e lidhur këtë me zhvillimet e fundit, ai kritikon ashpër ata që, sipas tij, përpiqen të minimizojnë rolin e ambasadorit shqiptar, ndërkohë që mbështesin lirimin nga burgu të të dënuarve për ngjarjet e 27 prillit. Sipas Saliut, kjo qasje e ul pjesëmarrjen e shqiptarëve në vendimmarrje në nivel simbolik dhe përbën përbuzje, jo respekt.

Në fund të reagimit, ai përdor një metaforë politike, duke pyetur: “A ka shofer në autobusin e VLEN-it?”, një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj drejtimit politik të koalicionit.