Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar ashpër në një postim në Facebook ndaj qasjes së kryeministrit të ri të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke e akuzuar për arrogancë, gjuhë fyese dhe politika që, sipas tij, synojnë përjashtimin e shqiptarëve nga vendimmarrja shtetërore.
Selimi i bën thirrje opozitës shqiptare që të mbajë qëndrim të qartë dhe të mos bëjë kompromis me pushtetin pa ndryshime të thella sistemore, përfshirë edhe disa ndryshime kushtetuese. Sipas tij, çdo marrëveshje pa këto ndryshime do të ishte një tradhti ndaj vullnetit të shqiptarëve që do të shprehet në referendumin e paralajmëruar në Tetor.
“Nuk mund të pranohet një kryeministër që sillet si pronar i shtetit, që ‘tërheq për veshi’ dhe ‘ua tregon vendin’ shqiptarëve,” shkruan Selimi, duke shtuar se ka zgjidhje për të gjitha opsionet, por duhet vullnet politik dhe respekt për barazinë e qytetarëve.
