Zëvendëskryeministri dhe ministër i Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve, Ivan Stoilkoviq, mori pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e kampit sportiv dhe edukativ “Serbia të thërret”.

“Kampi i gjashtë me radhë, i cili tubon fëmijë dhe të rinj nga diaspora dhe rajoni, u hap më 2 gusht në kompleksin “Patriark Pavle” në Beograd, duke regjistruar këtë vit një numër rekord pjesëmarrësish – gjithsej 436 nga 18 vende të ndryshme.

Në mesin e tyre ishin edhe fëmijë nga Maqedonia e Veriut, të cilët bashkë me bashkëmoshatarët e tyre zhvilluan aktivitete sportive, edukative dhe kulturore. Përveç garave dhe lojërave, kampi synon ndërtimin e miqësive të reja dhe njohjen nga afër me historinë dhe bukuritë turistike të Beogradit.

Në pritjen solemne të mbajtur në Pallatin e Serbisë morën pjesë edhe ministri serb për diasporën, Gjorgje Miliqeviq, si dhe ministri i Sportit, Zoran Gajiq.”, ka njoftuar Stoilkoviq./INA