Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vazhduar me emërimin e ambasadorëve të rinj në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Kosova dhe Maqedonia e Veriut mbeten të vetmet shtete të rajonit ku ende nuk është nominuar një ambasador nga administrata e presidentit Donald Trump.

Më 1 qershor, SHBA-të nominuan ambasadorët e rinj për Bosnje-Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi. Për ambasador në Sarajevë është propozuar Ronald Johnson, në Beograd Michael Young, ndërsa në Podgoricë Peter McCoy nga Karolina e Jugut.

Disa javë më parë, Uashingtoni emëroi edhe Eric Wendt si ambasador të ri në Shqipëri, duke plotësuar kështu shumicën e posteve diplomatike në rajon.

Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të funksionojnë pa ambasadorë të emëruar nga administrata aktuale amerikane. Në të dy vendet, misionet diplomatike amerikane udhëhiqen nga të ngarkuar me punë, një nivel diplomatik më i ulët se ai i ambasadorit fuqiplotë.

Në Kosovë, detyrën e të ngarkuarës me punë e ushtron Anu Prattipati, ndërsa në Maqedoninë e Veriut këtë funksion e mban Nicole Varnes.

Kosova ndodhet pa ambasador amerikan që nga dhjetori i vitit 2024, duke shënuar një situatë të pazakontë në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve. Sipas të dhënave, një boshllëk i tillë nuk ka ndodhur më parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Që nga ajo kohë, Shtetet e Bashkuara kanë emëruar gjashtë ambasadorë në Kosovë, ndërsa procesi i zëvendësimit të tyre ka zgjatur mesatarisht rreth katër muaj. Rasti më i gjatë ka qenë kalimi nga ambasadori Christopher Dell te Tracey Ann Jacobson, proces që zgjati tetë muaj. përcjell Zhurnal.mk .