Tetovë – Shembja e objektit të njohur si Monopoli në Tetovë nuk është thjesht një ndërhyrje urbanistike, por po shihet si një përpjekje për të zhdukur një faqe të dhimbshme të historisë shqiptare. Kjo godinë mbart në vete kujtimet e një masakre të kryer nga regjimi serbomadh menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur qindra shqiptarë u pushkatuan mizorisht.

Në vend që të shndërrohej në një memorial që do të nderonte viktimat dhe do të ruante kujtesën kolektive të shqiptarëve, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka ndjekur gjurmët e drejtuesve të dikurshëm jugosllavë duke vendosur për shembjen e objektit.

Ky veprim ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe është cilësuar si një akt i turpshëm që i shërben fshirjes së historisë dhe mohimit të dhimbjes kolektive. Sipas kritikëve, kjo nismë i përngjan qasjes së regjimeve autoritare që kërkonin të mbulonin krimet përmes buldozerëve të “zhvillimit”.

A është ky fillimi i harresës së qëllimshme, apo një alarm për të rikthyer seriozisht çështjen e kujtesës historike në agjendën kombëtare? Opinioni pret përgjigje.