Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e shkollës së mesme private “Medreseja Isa Beu” në fshatin Kondovë të Shkupit, i cili ishte miratuar nga Qeveria më 26 mars të vitit të kaluar. Gjykata vlerësoi se vendimi i Qeverisë është i paligjshëm dhe kundërkushtetues, pasi i ka dhënë pëlqim Bashkësisë Fetare Islame të jetë themeluese e një shkolle të mesme. Nga gjykata vlerësojnë se kjo bie ndesh me nenin 7 të Ligjit për arsimin e mesëm, i cili ndalon organizimin dhe veprimin fetar, si dhe shfaqjen e simboleve fetare në shkollat e mesme. Po ashtu, vlerësojnë se vendimi është në kundërshtim me Amendamentin e 7-të të Kushtetutës, sipas të cilit bashkësitë fetare mund të themelojnë vetëm shkolla fetare.