Për nevojën e një rritje të pagave flasin edhe të dhënat se vetëm vlera e ushqimit për një familje me katër anëtarë, sipas llogaritjes të sindikatës me 19.805 denarë – e njëjta është afër pagës minimale

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 9 korrik – Përderisa punonjësit në Maqedoninë e Veriut po presin rritjen e pagave, shporta konsumatore që e llogarit Sindikata ka arritur në afër 800 euro apo 48.543 denarë. Për nevojën e një rritje të pagave flasin edhe të dhënat se vetëm vlera e ushqimit për një familje me katër anëtarë, sipas llogaritjes të sindikatës me 19.805 denarë – e njëjta është afër pagës minimale. Sindikalistët thonë se rritja e pagave duhet të jetë mbi 10 për qind, ku përfaqësues të sindikatave të ndryshme kanë dalë me kërkesa për rritjen e pagave për 10.9 për qind dhe 12.55 për qind apo për 14.5 për qind. Të hënën pritet edhe një takim i radhës ndërmjet sindikatave dhe përfaqësuesve qeveritar, ku nga Ministria e Financave do të dalin me analizën e ndikimit të kërkesave sindikaliste ndaj arkës së shtetit. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se presin rritje dyshifrore të pagave në muajin shtator.

“Me një inflacion prej 14.2 për qind kishim rritje të pagës minimale për 12.55 për qind dhe të pagës mesatare prej 10.9 për qind në vitin e kaluar, andaj ne si përfaqësues të punëtorëve besojmë se kjo duhet të jetë baza strategjike mbi të cilën do të ndërtojmë marrëdhëniet dhe besimin e ndërsjellë duke nënshkruar marrëveshjen e përgjithshme. Kolektive. Ky proces po zgjat ku diku janë rritur pagat me 2000, 3000 apo mbi 3000 denarë dhe kjo do të vazhdojë edhe më tej që mund të tejkalojë edhe 14 përqindëshin e inflacionit”, thotë numri një i LSM-së, Slobodan Trendafillov. Ne, thotë ai, kemi biseduar tashmë me organet dhe trupat tanë. “Përfaqësuesit e sindikatave janë me një disponim për një rritje dyshifrore në përqindje të pagave, e cila është mbi 10 për qind .Pra janë me një disponim që paga për muajin shtator, e cila paguhet në tetor, do të rritet për një përqindje të caktuar”, tregon Trendafilov.

Nga Ministria e Financave pa dhënë detaje, janë shprehur optimist se do të ketë zgjidhje për pagat. “Sipas klimës dhe intensitetit të bisedimeve, mendoj se jemi shumë afër. Unë dua të jem dhe e përsëris që jam një optimist racional në kuptimin që optimizmi të vendos në një zonë komforti dhe ti mendon se nuk ke nevojë të angazhohesh për asgjë dhe se gjërat do të zgjidhen vetë. Optimizmi racional është se ne duhet të bëjmë përpjekje për të arritur atë që kemi si një pritje optimiste. Mendoj se ka një klimë solide, ka besim të ndërsjellë, vullnet për të gjetur një zgjidhje, ende duhet të përcaktojmë disa hollësi dhe nëse jemi me këtë intensitet, është vetëm çështje ditësh që ta përfundojmë këtë me sindikatat në interesin e të gjithë qytetarëve’, thotë ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Për Qeverinë, është thelbësore të miratojë një zgjidhje që do të jetë sistematike dhe e qëndrueshme për të rritur efikasitetin, produktivitetin dhe efektivitetin e sektorit publik. Periudha 2023-2025, thonë në Qeveri, do të jetë periudhë tranzicioni ku sërish do të ketë rritje pagash. Javën e kaluar, përfaqësues të sindikatave u takuan me zyrtarë të qeverisë për të diskutuar kërkesën e punonjësve të sektorit publik për rritjen e pagave, në pritje të hyrjes në fuqi të një zgjidhjeje të re sistematike që duhet të fillojë të zbatohet në vitin 2025. Pra, për çdo vit në muajin mars do të ketë rritje pagash në sektorin publik në raport me pagën mesatare.

Me fjalë tjera, palët janë pajtuar që në parim Maqedonia do të jetë vendi i parë në botë që do të indeksojë pagat në sektorin publik me pagën mesatare bruto, nga marsi i vitit 2025. Nga Lidhja e Sindikatave kërkojnë që edhe një herë që ministrat, por edhe të gjithë të funksionarët e zgjedhur dhe të emëruarit, të solidarizohen me punonjësit dhe të heqin dorë nga rritja prej 78 për qind, të cilën e kanë marrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër nga LSM kërkojnë që edhe ato që kanë marrë në përqindje të rritjes së pagës me vendim të Kushtetutën duhet ta marrin në mars të vitit 2025 kur edhe punëtorë do të kenë rritje të pagës mesatare sipas përqindjes së kompleksitetit apo ndërlikueshmërisë. Përllogaritjet e sindikatave tregojnë se nëse zyrtarët nesër heqin dorë nga pagat e rritura për 78 për qind, çdo punonjës në sektorin publik do të merrte 1500 neto në llogarinë e tij, nëse ato para kalojnë në pagat e punonjësve në sektorin publik. Gjithashtu përfaqësuesit e qeverisë theksojnë se qëllimi është krijimi i një sistemi unik dhe thjeshtimi që do të nënkuptojë zgjidhje që do të mbrojnë standardin e qytetarëve dhe do të ndjek produktivitetin e ekonomisë. (koha.mk)