Për dy vite pushteti lokal i DPMNE-së në qytetin e Shkupit e shkatërroi transportin publik të qytetit dhe krijoi kaos në transportin publik. Për herë të parë në histori ka ndodhur që Shkupi të mbetet pa transport publik. DPMNE e shkatërroi ndërmarrjen publike dhe për dy vjet vetëm për teka politike e bllokoi projektin për transport të ri ekologjik të shpejtë me autobus, thotë në një deklaratë për media Gordan Shutarov, këshilltar i LSDM-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit.
Ai shtoi se JSP po mbytet në borxhe, rroga nuk mund të ndahet, ndërsa këshilltarët nga VMRO-DPMNE, që janë shumicë në Këshill, në seancën e djeshme nuk e kanë përkrahur vendimin për subvencionimin e JSP-së, sepse siç tha ai, janë interesa politike të DPMNE-së gjithmonë para interesave të qytetarëve.
Sipas tij, LSDM-ja edhe pse është opozitë në Këshill, gjithmonë e mbron interesin e Shkupit, andaj së bashku me këshilltarët e tjerë nga koalicioni dhe këshilltarët tjerë përgjegjës kanë arritur ta shpëtojnë JSP-në nga bllokimet e reja. Me subvencionet e dhëna, siç theksoi këshilltari, vozitësit në JSP do të mund të marrin rrogë, të kryejnë shërbimin e borxheve dhe kjo është gjëja më e rëndësishme që qytetarët në këtë moment të kenë një lloj transporti publik.
Nëse DPMNE nuk do ta ndalonte projektin BRT, sot nuk do të flitej për subvencione shtesë, kataklizma dhe kaos në transportin publik. BRT është shpëtim për transportin publik në Shkup. Prandaj, zgjidhja e vetme është zbatimi i plotë dhe i shpejtë i projektit për konceptin e ri të transportit publik në Shkup, për të cilin janë siguruar mjete prej 70 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – theksoi Shutarov.
