Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela e ka përshëndetur vendimin e sotëm të Departamentit Amerikan të Shtetit për Listën e Zezë, konkretisht futjen në Listën e Zezë të ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe gjykatësit Enver Bexheti, ndërsa ka dënuar dhe denoncuar edhe një herë lidhjet e gjyqësorit me politikën dhe oligarkinë.
Postimi i plotë i Ziadin Selës:
Aleanca për Shqiptarët në vazhdimësi ka qenë një prej aktorëve politik që ka dënuar dhe denoncuar publikisht lidhjet e gjyqësorit me politikën dhe oligarkinë andaj edhe sot përshëndesim vendimin e fundit të SHBA-ve, partnerit më të rëndësishëm strategjik të RMV dhe popullit shqiptar.
Lufta kundër korrupsionit shënon një hap të rëndësishëm në sendërtimin e shtetit të së drejtës dhe ardhmërisë sonë. Ftojmë të apostrofuarit, të tërhiqen nga jeta institucionale dhe politike, e si qytetarë të lirë të përballen me akuzat.
Përgjegjësia individuale është gurthemeli i një shteti modern, i paanshëm dhe demokratik. Aleanca për Shqiptarët dhe unë si kryetar i saj, mbetemi një partner i besueshëm dhe besnik i SHBA-ve, duke ndarë vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës.
