02:07 – Reagon presidenti Joe Biden: Ne duhet të bashkohemi si një komb për ta dënuar ngjarjen

Presidenti Joe Biden ka reaguar në lidhje me incidentin në Pensilvani që la të lënduar ish-presidentin Donald Trump, njëherit kundërkandidat i Biden për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

“Jam informuar për të shtënat në mitingun e Donald Trump në Pensilvani. Jam mirënjohës që dëgjoj se ai është i sigurt dhe po shkon mirë. Unë jam duke u lutur për të dhe familjen e tij dhe për të gjithë ata që ishin në tubim, ndërsa presim informacione të mëtejshme. Jill dhe unë i jemi mirënjohës Shërbimit Sekret që e çoi në siguri. Nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë. Ne duhet të bashkohemi si një komb për ta dënuar atë” – ka shkruar presidenti Biden.

01:57 – Prokuroria amerikane: Sulmuesi dhe të paktën një pjesëmarrës në tubim kanë vdekur

Prokurori i qarkut të Butler, Richard Goldinger ka konfirmuar se të paktën një pjesëmarrës në tubim dhe personi i armatosur kanë vdekur pas të shtënave në tubimin e Trump, raporton CNN.

Prokurori ka njoftuar po ashtu se një pjesëmarrës tjetër është është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Prokurori i qarkut ka konfirmuar edhe njëherë se presidenti Trump është në gjendje të mirë.

01:49 – Obama: Nuk ka absolutisht vend për dhunë politike në demokracinë amerikane

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama ka reaguar në lidhje me incidentin në të cilin mbeti i lënduar ish-presidenti Donald Trump.

Obama shkruan se pavarësisht që nuk dihet ende se çka ka ndodhur saktësisht, amerikanët duhet të ndihen të lehtësuar që Trump është mirë.

“Nuk ka absolutisht vend për dhunë politike në demokracinë tonë. Edhe pse ne nuk e dimë ende saktësisht se çfarë ndodhi, të gjithë duhet të jemi të lehtësuar që ish-presidenti Trump nuk u lëndua seriozisht dhe ta përdorim këtë moment për t’iu përkushtuar civilizimit dhe respektit në politikën tonë. Michelle dhe unë i urojmë shërim të shpejtë” – ka shkruar Obama në Facebook.

01:38 – CNN: Sulmuesi në tubimin e Donald Trump është ‘neutralizuar’

CNN raporton se nga burime të shumta nga institucionet e zbatimit të ligjit kanë kuptuar se sulmuesi në tubimin e ish-presidentit Donald Trump është neutralizuar tashmë.

01:36 – Liderët botërorë reagojnë pas incidentit që la të lënduar ish-presidentin Trump

Liderë të shteteve të ndryshme kanë reaguar pas incidentin në të cilin u lëndua dhe u pa i gjakosur ish-presidenti amerikan Donald Trump, raporton CNN.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu shkruan: “Sara dhe unë jemi të tronditur nga sulmi ndaj Presidentit Trump. Ne lutemi për sigurinë dhe shërimin e shpejt të tij.”

Presidenti i Hondurasit, Xiomara Castro de Zelaya shkruan: “Dhuna sjell më shumë dhunë. Më vjen keq për atë që po ndodh në procesin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara. Solidariteti im me presidentin Donald Trump”

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban shkruan: “Mendimet dhe lutjet e mia janë me Presidentin Donald Trump në këto orë të errëta.”

01:30 – Kandidati i Pavarur për president të Amerikës: Është koha që çdo amerikan të lutet për presidentin Trump.

Kandidati i pavarur për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert F. Kennedy ka reaguar në lidhje me incidentin në Pensilvani, nnë të cilin ish-presidenti Trump u pa i lënduar dhe i gjakosur.

Kandidati për president Kennedy u ka bërë thirrje amerikanëve që t’i shmangen ndasive dhe të luten për presidentin Trump dhe familjen e tij.

“Tani është koha që çdo amerikan që e do vendin tonë të tërhiqen nga ndasitë, të heqë dorë nga çdo dhunë dhe të bashkohet në lutje për Presidentin Trump dhe familjen e tij” – tha ai në një postim në rrjetin social X.

01:23 – Incidenti me lëndimin e Donald Trump në Pensilvani, presidenti Biden ka marrë informatat e para.

Në lidhje me incidentin, në të cilin mbeti i lënduar ish-presidenti amerikan dhe kandidat për zgjedhjet e ardhshme, Donald Trump është informuar nga institucionet amerikane edhe presidenti aktual Joe Biden.

CNN raporton se presidenti Joe Biden tashmë ka marrë informatat fillestare në lidhe me incidentin në Pensilvani.

01:15 – Flasin nga kampi i Trump, tregojnë gjendjen e tij shëndetësore

Gjendja e ish-presidentit amerikan Donald Trump është e mirë ka thënë para pak minutave zëdhënësi i ekipit të tij, Steven Cheung.

“Presidenti Trump falënderon forcat e rendit dhe reaguesit e parë për veprimin e tyre të shpejtë gjatë këtij akti të urryer. Ai është mirë dhe po kontrollohet në një institucion mjekësor lokal. Më shumë detaje do të pasojnë” – ka thënë Cheung në një deklaratë pas ngjarjes, raporton CNN.

01:08 – Donald Trump shihet i gjakosur, raportohet se ka pasur të shtëna – Gjendja e tij është sigurtë

Presidenti amerikan Donald Trump është parë i gjakosur gjatë mbajtjes së një takimi me përkrahës të tij në Pensilvania.

Gjatë kohës sa ishte duke mbajtur fjalim, për një moment Donald Trump shihet duke kapur me dorën e tij pjesën e majtë të kokës.

I menjëhershëm ishte reagimi i pjesëtarëve të sigurisë që e mbajtën atë për disa kohë të shtrirë.

Ai pastaj u pa duke u larguar i gjakosur në fytyrë.

Para se të largohej nga aty, Donald Trump ngriti grushtin lartë.

Mediat amerikane po raportojnë se janë dëgjuar edhe të shtëna.

CNN raporton se Shërbimi Sekret Amerikanë është deklaruar në lidhje me ngjarjen duke thënë se presidenti Trump dhe pjesëtarët e tjerë janë të sigurt dhe janë duke u ndërmarrë masat për ruajtjen e tij.