BDI ka reaguar ashpër ndaj një skandali të paprecedentë që ka ndodhur në Komisionin për ndarjen e Çmimit Shtetëror “8 Shtatori”, shpërblimi më i lartë për vepër jetësore dhe arritje në fushën e sportit.

Përbërja diskriminuese e komisionit

Komisioni, i formuar me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, përbëhet nga 12 anëtarë – 11 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar. Kjo shpërfaq qartë mungesën e përfaqësimit të drejtë dhe barazisë qytetare, të cilat janë të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit.

Konflikt interesi dhe turp publik

Skandali shpërtheu kur i vetmi anëtar shqiptar, Hamid Bakija, në vend që të propozojë një sportist shqiptar për këtë çmim prestigjioz, ka vendosur ta propozojë veten e tij për shpërblim.

“Ky veprim është jo vetëm konflikt interesi, por edhe turp dhe padrejtësi ndaj qindra sportistëve shqiptarë që kanë kontribuar me sukses ndër vite dhe vazhdojnë të mbeten të përjashtuar nga njohja shtetërore,” thuhet në reagimin e BDI-së.

Jo rast i izoluar

BDI rikujton se një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe vitin e kaluar, kur një anëtar tjetër i komisionit, vëllai i një kryetari komune nga VMRO, ia dha shpërblimin vetes së tij. Edhe atëherë gjithçka kaloi në heshtje.

“Këtë herë nuk do të lejojmë të heshtet. Rasti do të adresohet para Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit si shembull flagrant i konfliktit të interesit dhe diskriminimit të hapur,” thekson BDI.