Profesori amerikan Edward P. Joseph ka zhvilluar një intervistë për Demostat në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë, ku e ka përmendur edhe ish-kryeministrin Avdullah Hoti në një kontekst pozitiv. 

Joseph që është prej mbështetësve më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës në ShBA e që ishte takuar me kryeministrin Kurti pak javë më parë, e ka quajtur Kurtin të pamatur në veprimet e tij në veri të Kosovës. 

“Është e qartë se Kurti ishte i pamatur në veprimet e tij operacionale në veri, sfidues ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe provokativ ndaj bashkëqytetarëve të tij, serbëve të Kosovës…” – u shpreh z. Joseph në fjalën e tij.

Për kohë të gjatë, Joseph ka treguar se si sipas tij mund të hiqej ngërçi ndaj statusit të Kosovës në raport me shtetet mos-njohëse në BE dhe në NATO. Sipas Josephit, po të kishim një lider më bashkëpunues, atëherë situata për Kosovën do të ishte shumë më e mirë. 

“Tash veç le të imagjinojmë një lider më bashkëpunues në Prishtinë,” – thotë z. Joseph në fjalën e tij në intervistë, dhe më pas i kujtohet ish-kryeministri Avdullah Hoti. 

“Në fakt, s’kemi pse ta imagjinojmë; ka pasur një lider më bashkëpunues. Emri i tij ishte Avdullah Hoti. Në shtator të 2020-s, ai madje nënshkroi edhe marrëveshjen e Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë, bashkërisht me Alleksandër Vuçiqin. Në një pikë, ai madje edhe u pajtua për ta vendosur në agjendë themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe,” – argumentoi aty z. Joseph.

Profesori tash e disa muaj ka shprehur bindjen që faktori ndërkombëtar duhej ta bindte Ukrainën për ta njohur Kosovën. Kjo sipas tij, do t’i çelte rrugë edhe shteteve mosnjohëse në BE dhe sidomos në NATO që bënin të njëjtën gjë shkaku i autoritetit moral që ka fituar shteti që është sulmuar nga Rusia në shkurtin e 2022-s. 

Në anën tjetër, Avdullah Hoti ka qenë mjaft kritik ndaj veprimeve të Qeverisë Kurti në dialogun me Serbinë. Ai ka kritikuar Kurtin se e ka degraduar dialogun nga çështjet thelbësore duke u marrë me çështje teknike.