Iniciativa qytetare “Stop Usjes” akuzoi sot Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit (ISHM) se ka ndërprerë praktikën e publikimit të raporteve javore mbi inspektimet e kryera, pa shpjegim publik dhe pa njoftim paraprak. Ata thonë se deri në mars të vitit 2026, ISHM publikonte rregullisht raporte përmes të cilave publiku mund të fitonte njohuri mbi punën e shërbimeve të inspektimit, gjegjësisht ku kryhen kontrolle, cilat subjekte inspektohen dhe nëse janë identifikuar parregullsi, transmeton Portalb.mk.
Kjo praktikë, siç thuhet në njoftimin e iniciativës, nuk është planifikuar të hiqet në Planet Vjetore të Punës së institucionit për vitin 2024 dhe 2025, ku transparenca është renditur si një nga parimet themelore.
“Stop Usjes” kërkoi përgjigje nga ISHM për pyetjet se kush e mori vendimin për të ndërprerë publikimin e raporteve, me cilin akt është miratuar dhe bazuar në çfarë analize është bërë vlerësimi se publiku duhet të marrë më pak informacion.
Megjithatë, përgjigjja që morën nga Inspektorati thotë:
“Raportet javore nuk ishin detyrim ligjor dhe për këtë arsye ato nuk do të publikohen më”.
“Stop Usjes” vlerëson se një vendim i tillë është shqetësues, veçanërisht në kushtet kur Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit po zbaton një projekt të Binjakëzimit të BE-së që synon rritjen e transparencës, përmirësimin e komunikimit me publikun dhe zhvillimin e një platforme me të dhëna mbi mbikëqyrjen inspektuese dhe kapacitetet industriale.
“Ndërsa BE-ja po investon në transparencë dhe qasje më të madh në të dhëna, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në praktikë po zvogëlon informacionin në dispozicion të qytetarëve”, deklaron “Stop Usjes”.
Sipas iniciativës, pasoja e një vendimi të tillë është se qytetarët, në vend se përmes raporteve të disponueshme publikisht, do të duhet të paraqesin kërkesa për qasje në informacion publik dhe të presin deri në 20 ditë për të marrë të dhëna mbi kontrollet e kryera të inspektimit.
Ata kërkojnë shpjegim nga “Stop Usjes” se si heqja e raporteve javore është në përputhje me objektivat e projektit të Binjakëzimit të BE-së dhe me angazhimet për transparencë më të madhe të deklaruara në programet vjetore të institucionit.
Reagimi thekson gjithashtu se, ndërsa ministri i Mjedisit Muhamet Hoxha njoftoi në mars krijimin e një Regjistri të Ndotësve të disponueshëm publikisht, ISHMJ, e cila vepron nën autoritetin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ndërkohë ka hequr të vetmin informacion të disponueshëm publikisht mbi kontrollet inspektuese të ndotësve të mundshëm.
Sipas iniciativës, kjo përfaqëson një hap prapa në ofrimin e informacionit publik mbi zbatimin e standardeve dhe kontrolleve mjedisore.
Nga ana tjetër, sot ka reaguar Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, nga ku thonë se mbeten konsekuente në angazhimin për transparencë më të madhe dhe informim të rregullt e në kohë të publikut për gjendjen e mjedisit јеtësor dhe se raportet do të vazhdojnë të publikohen.
“Publikimi i rregullt i informatave për inspektimet e realizuara përbën një instrument të rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe forcimin e besimit në institucione. Për këtë arsye, raportet javore të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor do të vazhdojnë të publikohen, edhe pse për këtë nuk ekziston një detyrim i drejtpërdrejtë ligjor. Qasja jonë është e qartë – kur bëhet fjalë për informacione me interes publik, veçanërisht në fushën e ndotjes dhe mbrojtjes së mjedisit, standardi duhet të jetë më shumë transparencë dhe jo më pak qasje në informata për qytetarët. Në të njëjtën frymë po zhvillohet edhe iniciativa për krijimin e Regjistrit të Ndotësve. Aktualisht po përgatiten zgjidhjet e nevojshme teknike, ndërsa do të iniciohen edhe ndryshimet përkatëse ligjore për të siguruar funksionimin e plotë dhe qasjen publike në këtë regjistër. Qëllimi është që qytetarët të kenë më shumë informacion, qasje më të lehtë në të dhëna dhe mundësi më të mëdha për të ndjekur gjendjen e mjedisit dhe veprimet e institucioneve. Ky është një obligim që buron si nga përkushtimi ynë reformues, ashtu edhe nga standardet evropiane për transparencë”, thonë nga MPJPH.
